Fjalë Kyçe

Daka pas shkarkimit: Vendim i pa ligjshëm, Osmani më kërkoi të jap dorëheqje në këmbim të falënderimeve publike

Daka pas shkarkimit: Vendim i pa ligjshëm, Osmani më kërkoi të jap dorëheqje në këmbim të falënderimeve publike

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një konferencë për media pas shkarkimit të saj nga presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se presidentja ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë për shkarkimin e saj.

Daka e ka quajtur këtë vendim, vendim jo kushtetues.

“Ky është vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj. Arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim jo që është i paligjshëm por edhe kontradiktor dhe qesharak. Ky është vendim i porositur”, ka thënë Daka.

Daka ka shtuar se ky vendim ishte i përgatitur më herët, marrë parasysh se menjëherë u emërua kryetari i ri i KQZ-së.

“Ky vendim i bërë publik pasditen e së hënës shihet qartë se ishte përgatitur më herët, këtë e dëshmon edhe fakti i emërimit të kryetarit të ri të KQZ brenda pak minutave. Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë takim ku ajo më kërkoi të jap dorëheqje në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoj falënderime publike për punën e deritashme dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhshmen. I kam thënë se e kam përmbushur detyrën time sipas Kushtetutës”, ka thënë Daka.

Ish-kryesuesja e KQZ-së ka thënë se kërcënimet publike të presidentes Vjosa Osmani kanë nisur nga janari i vitit 2021.

“Kërcënimet publike të Presidentes Osmani kanë nisur që nga janari i vitit 2021, në kohën kur unë si Kryetare dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së, edhe përkundër presionit të madh, ishim në mbrojtje të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar kandidimin për deputetë të personave të shpallur fajtor për vepër penale, në tri vitet e fundit, me vendim përfundimtar të gjykatës. Vetëm një ditë pas vendimit të KQZ-së për moscertifikim të këtyre personave, më 23 janar, UD e Presidentes së Kosovës, përmes një video-mesazhi kishte kërcënuar publikisht me shkarkim anëtarët e KQZ-së. Ndonëse do të duhej të ishte në krye të detyrës për mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe të inkurajonte KQZ-në për të zbatuar Kushtetutën dhe Ligjin, ajo po i kërkonte KQZ-së të mos respektonte Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Daka.