Fjalë Kyçe

Dalin detaje të reja, zbulohet kush qëlloi mbi Admir Muratajn

Dalin detaje të reja, zbulohet kush qëlloi mbi Admir Muratajn

Admir Murataj është një nga grabitësit e disa miliona eurove në Rinas, i cili u vra gjatë përleshjes me policinë.

47-vjeçari që mbeti i vrarë pas grabitjes së 9 prillit në Rinas është qëlluar në kohën kur po tentonte t’i vinte flakën furgonit me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.

Burime nga grupi hetimor thanë se nga deklarimet që u janë marrë anëtarëve të grupit të gatshëm të FNSH-së që ndoqën makinën e grabitësve, është zbardhur momenti i përplasjes me armë dhe i vrasjes së njërit prej grabitësve.

Ata e kanë ndjekur fugonin që kishte dalë nga pista e Rinasit bashkë me milionat e grabitura, e kanë kthyer diagonal në rrugë. Kjo në mënyrë që t’i pengonte për të vazhduar ndjekjen.

Në këtë kohë Admir Murataj e kishte spërkatur me benzinë dhe po tentonte t’i vinte flakën. Ai mbante në dorë një shok, në majën e të cilit ishte një objekt, ku në pamje të parë duket si sfungjer. Ai kishte tentuar ta ndizte dhe ta hidhte në drejtim të automjetit.

Pikërisht ky, ka qenë momenti kur Policia ka qëlluar, duke i bërë edhe thirrje të dorëzohej. Por edhe nga ana e autorëve është qëlluar, me shumë mundësi në ajër, dhe në këtë formë, gjatë kundërpërgjigjes, ka mbetur i vrarë në vend, me një plumb në kokë Admir Murataj.

Ndjekja nga Policia

Furgoni i grabitësve është konstatuar nga grupi i gatshëm i FNSH kur ndodhej ende brenda në pistë, pasi kishte kryer grabitjen dhe po lëvizte drejt daljes veriore. Fillimisht është tentuar që Policia të futej në pistë, duke qenë se distanca e ndjekjes do ishte më e shkurtër dhe do fitonin kohë.

Por kjo situatë është shmangur duke qenë se është marrë parasysh rreziku që paraqisnin autorët e ngjarjes. Një përplasje e mundshme e forcave të FNSH me grabitësit e armatosur, me automatikë, granata, madje edhe eksploziv në pistën e avionëve, mund të rezultonte me pasoja edhe më të rënda.

Një ndërhyrje e tillë, mund të sillte reagim të papritur nga ana e grabitësve, që mund të shkaktonte terror te pasagjerët e avionit, i cili ishte gati për fluturim. Për këtë arsye, Policia ka preferuar “rrugën e gjatë” në vend të “rrugës së shkurtër”, që do ishte me pasoja të rënda.

Shkëmbimi i zjarrit

Kur grabitësit kishin zbritur nga furgoni dhe po tentonin t’i vinin flakën për të zhdukur provat, kanë konstatuar se po ndiqeshin nga Policia. Forcat FNSH janë afruar dhe u kanë bërë thirrje “Ndal, Policia!”.

Në këtë kohë, grabitësit kanë nisur të qëllojnë me armë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë i janë kundërpërgjigjur me armë. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vrarë njëri nga grabitësit. Në kohën kur autorët po vijonin të qëllonin, grupi i gatshëm është shpërndarë, në mënyrë që t’i rrethonte.

Dy prej efektivëve kanë hipur në një kodër, në mënyrë që të kishin fushëpamje më të qartë. Ndërsa autorët kanë përfituar nga ky moment për t’u larguar. Kanë braktisur furgonin pa arritur që ta digjnin dhe kanë kaluar përroin përmes një ure të vogël.

Nga ana tjetër, ata i priste një tjetër furgon, me të cilin kanë arritur të largohen në drejtim të fshatit Dritas, ku janë fshehur në një prej tuneleve. Aty e më pas i kanë vënë flakën automjetit. Forcat e FNSH kanë parë nga kodra veprimet e tyre dhe kanë lajmëruar Policinë që t’i priste nga krahu tjetër.