Fjalë Kyçe

Dalin pamjet e grabitjes në Rinas, për 1 km luftë me policinë

Dalin pamjet e grabitjes në Rinas, për 1 km luftë me policinë

Katër persona të maskuar dhe të armatosur hynë rreth orës 15:00 në pistën e aeroportit të Rinasit dhe grabitën një shumë të konsiderueshme parash. Bëhet fjalë për disa miliona Euro të një banke të nivelit të dytë që u dërguan në një avion të linjës Tiranë – Vienë nga një makinë e kompanisë “Nazeri 2000”.

Grabitësit kanë hyrë me një furgon nga ana e parkingut 24 orësh të pasagjerëve dhe kanë dalë nga një portë në krah të rrugës Rinas – Fushë Krujë, porta e zjarrfikësve, e njëjta nga ku 3 vjet më parë hyri edhe një Mercedes që u përdor për një grabitje të ngjashme. Nën kërcënimin e armëve kanë marrë thasët me para në furgon dhe në pjesën e kargos së avionit.

Autorët për të kryer grabitjen përdorën një furgon të bardhë me mbishkrimin “Kontrolli Tatimor” dhe më pas dolën nga e njëjta portë. Ndërkohë kjo foto e publikuar në media tregon dhe momentin e grabitjes. Disa pasagjerë të avionit thanë se ata kishin menduar se bëhej fjalë për një stërvitje policore.

Pas rreth 800 metrash pasi kanë dalë nga pista, grabitësit janë përballur me forcat e policisë, të cilat ndodhen të stacionuar pranë aeroportit. Ata kanë qëlluar me armë ndaj efektivëve, të cilët u kundërpërgjigjën. Nga shkëmbimi i zjarrit që mësohet se ka zgjatur për 1 kilometër, ka mbetur i vdekur njëri nga grabitësit.

Personi i vrarë është hedhur nga furgoni dhe tre grabitësit e tjerë i janë drejtuar Fushë-Krujës. Në ndjekje janë vënë forca të shumta speciale, ndërkohë që në operacion ka marrë pjesë dhe një helikopter i Ministrisë së Brendshme.

Furgoni me logon e “Hetimit Tatimor” është gjetur i djegur pranë vendit ku mbeti i vrarë grabitësi. Rreth një orë më pas, një tjetër furgon u gjet i djegur mes Kamzës dhe Bathores. Brenda ka pasur një arsenal të rëndë armësh./Opinion.al

https://www.facebook.com/opinioni.al/videos/1143220142517908/?t=2