Qen, mace dhe kafshë të rralla vazhdojnë të shiten në një nga tregjet më të famshme të mishit në veri të Indonezisë. Tomohon Extreme Market është tregu ku mund të gjesh lloje të ndryshme kafshësh dhe përzierja e tyre në të nxehtë dhe lagështi rrit shumë rrezikun e përhapjes së viruseve.
Shkencëtarët mendojnë se nga një treg i tillë në Wuhan shpërtheu Covid-19. Punonjës të PETA-s vizituan këtë market në fillim të prillit dhe panë kushtet e këqija higjienike në të cilat tregtohej mishi.
Por, tregtari i lakuriqëve të natës, Stenly Timbuleng tha se pandemia nuk ka ndikuar në shitjet e tij: “Shes 50-60 lakuriqë nate në ditë, siç kam bërë gjithmonë. Në periudha festive, shes edhe 600”.
Themeluesja e PETA-s, Ingrid Newkirk shprehet se ky treg duhet të mbyllet për të shmangur rrezikun e një tjetër pandemie: “Pandemia e radhës po pret që të shpërthejë, nëse ne vazhdojmë të grumbullojmë në të njëjtin vend kafshë të keqtrajtuara, të sëmura dhe të stresuara”.
Gripi i derrave, gripi i pulave, SARS apo lopa e çmendur janë të gjitha sëmundje që kanë shpërthyer nga mbajtja e kafshëve të mbyllura dhe të rritura për ushqim.