Fjalë Kyçe

Dallaveret e zyrtarëve në deklarimin e pasurisë

Dallaveret e zyrtarëve në deklarimin e pasurisë

Agjencia kundër Korrupsionit ka publikuar ditë më parë deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.

E, përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se nuk ka mekanizma verifikues nëse një zyrtar ka deklaruar pasurinë e vet në vlerë reale ose jo.

Valmir Ismaili nga organizata “Demokraci Plus”, shtron dyshimet se Agjencia kundër Korrupsion dhe Prokuroria e vendit nuk po marrin masat e duhura, dhe janë duke e kthyer këtë proces më shumë në një obligim formal se sa në evidentim të saktë të pasurisë së zyrtarëve publikë, shkruan arbresh.info.

“Në parim, publikimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë është një element pozitiv në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies së zyrtareve të lartë publik. Sidoqoftë, për shkak se Agjencia Kundër Korrupsion dhe Prokuroria e vendit nuk po marrin masat e duhura për të verifikuar vërtetësinë e pasurisë së deklaruar, janë duke e kthyer këtë proces më shumë në një obligim formal se sa në evidentim të saktë të pasurisë së zyrtarëve publik. Në mungesë të një verifikimi të mirëfilltë dhe masave ndëshkimore, sistemi aktual i deklarimit të pasurisë është duke nxitur raportim jo real të pasurisë. Pra, përderisa gati të gjithë zyrtarët e përmbushin obligimin zyrtar për deklarim të pasurisë, vërtetësia e saj mbetet peng i interpretimeve të lira të qytetarëve, mediave, por jo edhe të institucioneve që do të duhej të merreshin masat në rast të deklarimeve të rrejshme”, tha ai.

Tutje Ismaili tha se, është evidente që tek një numër i madh i vetë zyrtarëve edhe tek familjarët e tyre shihet që pasuria është bërë brenda një periudhe të shkurtër kohore, dhe përmes bizneseve që janë themeluar kohëve të fundit.

Sipas tij është përgjegjësi e AKK-së dhe institucioneve të drejtësisë që të merren me këtë.

“Jo domosdoshmërish ka probleme në deklarimin e pasurisë të të gjithë zyrtarëve dhe familjarëve të tyre, sepse ka të tillë që pasurinë e kanë fituar në mënyrë të ligjshme dhe të ndershme. Megjithatë, është evidente që tek një numër i madh i vetë zyrtarëve edhe tek familjarët e tyre shihet që pasuria është bërë brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe përmes bizneseve që janë themeluar kohëve të fundit. Prapë po e them që është përgjegjësi e AKK-së dhe institucioneve të drejtësisë që të merren me verifikimin e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë, ku përshihen edhe ato të të afërmeve të tyre”, ka thënë ai.

Artan Demhasaj nga organizata “Çohu” sqaron se Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka mekanizma ligjore që t’i verifikojë pasuritë që deklarohen.

Dhe sipas tij i ka humbur vlera e deklarimit të pasurive.

“Duke marrë parasysh në bazë të ligjit të ligjit aktual ku zyrtarët e lartë publikë e vetëdeklarojnë vlerën e pasurive dhe nuk ka mekanizma ligjore dhe mekanizma institucional, nga ana e Agjencisë së korrupsionit ti verifikoj pasurit që deklarohen atëherë në një mënyrë i ka humbur vlera deklarimit të pasurive. Kjo tregon që nuk është një vlerë reale e tregut të pasurive që zyrtaret publik e deklarojnë e kjo për shkak të problemeve ligjore që ekzistojnë”, thotë ai.

Ai thotë se një pjesë e familjarëve të zyrtarëve punojnë nëpër institucione të ndryshme publike, dhe për këtë arsye kanë pasuri të shumta familjarët.

“Ne kemi parë që në shume raste më shumë pasuri posedojnë bashkëshortet e zyrtarëve, se vetë disa zyrtarë, por kjo është edhe për shkak se një pjesë e familjarëve të zyrtarëve tanë publikë po ashtu punojnë nëpër institucione të ndryshme publike. Dhe për këtë arsye kanë pasuri të shumta. Pjesa më e madhe e zyrtarëve kanë pasuri që kapin vlerën milionëshe e kjo është ë papranueshme se si me pagat që ata i marrin po arrijnë me pas një 10% të pasurive”, tha Demhasaj.

Ndryshe, që nga themelimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, zyrtarët shtetërorë në Kosovë janë të obliguar që të deklarojnë pasurinë e tyre.