Fjalë Kyçe

Daullxhiu, kardiologu i akuzuar në rastin “Stenta”, anëtarësohet në Vetëvendosje

Daullxhiu, kardiologu i akuzuar në rastin “Stenta”, anëtarësohet në Vetëvendosje

Dr. Irfan Daullxhiu, kardiologu i akuzuar në një nga skandalet më të mëdha në shëndetësi të njohur si rasti “Stenta”, i ka hyrë politikës.

Daullxhiu, i cili sipas një raportimi të Gazetës “Zëri” akuzohet se ka marr rreth 900 euro ryshfet pasi ka referuar pacientë nga QKUK për në spitale private për të vendosur stenta, është anëtarësuar në VV gjatë ditës së djeshme.

Njoftimin për këtë e ka dhënë vet kryetari i VV-së, Albin Kurti, i cili e ka ngritur mjekun në qiell. Madje ka thënë se Vetëvendosjes do t’i forcohet zemra me anëtarësinë e Daullxhiut.

“Qytetar i Prizrenit, student i Sarajevës, specializant i Zagrebit, Dr.Irfan Daullxhiu është kardiolog i mirënjohur i Kosovës. Ai sot u anëtarësua në VETËVENDOSJE! dhe bashkë me kryetarin e Prizrenit, Myhaher Haskukën, i dëshiruam mirëseardhje. Dr.Daullxhiu ka qenë edhe kryetar i Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës, i cili ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare profesionale dhe ka publikime të shumta në revista të huaja shkencore. Me Dr.Irfanin Lëvizjes i forcohet zemra”, ka shkruar Kurti.

Kujtojmë se rasti “Stenta 2” ku janë të akuzuar rreth 40 kardiolog, përfshirë edhe Daullxhiun, ende nuk ka përfunduar.