Fjalë Kyçe

Deçani edhe sot pa rrymë, KEDS-i thotë se po punon

Deçani edhe sot pa rrymë, KEDS-i thotë se po punon

As sot Komuna e Deçanit nuk ka pasur disa orë energji elektrike.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë për Koha.net se është një prishje e kabllos nëntokësore, porse ekipet janë duke punuar.

“Ekipet e KEDS-it janë vazhdimisht në terren dhe duke e sanuar atë. Por, janë ballafaquar me pengesa objektive, siç është makina e domosdoshme e matjes, gjetja e shkaktarit të prishjes dhe në fund duke përfshirë edhe thyerjen e domosdoshme të asfaltit. Energjia elektrike do t’ju kthehet konsumatorëve pas 1 ore”.

Tutje, ai tha se Deçanit përpos vjetërsisë së kabllos në pjesën tjetër ku është i shtrirë kabllo, ka pasur edhe riparime të ndryshme nga kompanitë e tjera në asetet e tyre, dhe për pasojë kanë ndikuar duke e dëmtuar kabllon në pjesë të ndryshme.

“Në mënyrë që të reduktohen këto probleme të vazhdueshme KEDS sot do të bëjë shtrirjen e një linje alternative me 800m gjatësi për konsumatorët e kësaj dalje, kështu LP i Deçanit do të ketë një furnizim alternativ në rast të prishjes, do të vihet në funksion. Kjo në të ardhmen ndikon që në rast të prishjeve konsumatorët nuk mbesin pa energji në kohë të gjatë”.

Ndërsa edhe dje Deçani u përball me mungesë të energjisë. Kryetari i Komunës ë Deçanit, Bashkim Ramosaj ka njoftuar se për shkak të një defekti në kabllon e tensionit të lartë, qyteti i Deçanit ka mbetur pa rrymë.

“Të nderuar qytetarë, me keqardhje më duhet të ju informoj se për shkak të prishjes së kabllos nëntokësore të tensionit të lartë, qytetin e Deçanit nuk do të ketë rrymë. Shpresoj dhe besoj që deri nesër në mesditë (sot) të riparohet prishja nga KEDS-i”, ka shkruar gjatë ditës së djeshme Ramosaj.

Ndërkohë, edhe Nisma Socialdemokrat dega në Deçan, nëpërmjet një komunikate për media, ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjes së rrymës në shumë fshatra të Komunës së Deçanit.

“Nisma kërkon nga ana e KEK-ut dhe KEDS-it, që të ndërmarrin të gjitha masat e duhura që të evitohet ndërprerja e rrymës në shumë fshatra të Komunës së Deçanit, rrymë e cila po shënon orën e 24-ër të ndërprerjes.Nisma Socialdemokrat dega në Deçan, shprehet e shqetësuar edhe me qëndrimin e Komunës së Deçanit dhe të Kryetarit Ramosaj, për mos interesimin për zgjidhjen e çështjes së furnizimit me rrymë të shumë familje deçanase. Vonesat në rregullimin e sistemit të shpërndarjes së rrymës elektrike janë të pa pranueshme, andaj çdo vonesë në këtë drejtim është injorim i qytetarëve të komunës sonë”, thuhet në reagimin e tyre.