Fjalë Kyçe

Dedaj: Nuk largohem nga Shkupi pa përfunduar mandatin – shkarkimi im, hakmarrje politike

Dedaj: Nuk largohem nga Shkupi pa përfunduar mandatin – shkarkimi im, hakmarrje politike

Diplomati Gjergj Dedaj, ka thënë se shkarkimi i tij nga pozita e Ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut nga ana e presidentes kosovare Vjosa Osmani, është bërë pa asnjë arsye dhe vetëm për hakmarrje politike.

Në një intervistë për gazetën LAJM, Dedaj ka thënë se nuk do të tërhiqet lehtë nga zyrat e Ambasadës së Kosovës në Shkup pa përfunduar mandatin e tij.

Z.Dedaj, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mori vendim për shkarkimin tuaj nga detyra e ambasadorit të Kosovës në Shkup. A a jeni njoftuar zyrtarisht për këtë vendim nga Ministria e Jashtme e Kosovës?

Gjergj Dedaj: Për këtë befasi jo të këndshme jam njoftuar edhe zyrtarisht. Ky është një vendim arbitrar, tendencioz, skandaloz i presidentes Osmani me të cilin ka shkarkuar shumicën e ambasadorëve të Kosovës nëpër botë. Kosova nuk e ka këtë komoditet për të bërë të tilla eksperimente për hakmarrje politike. Kosova dhe institucionet e saj do të duhej të merreshin në radhë të parë me pandeminë, njerëzit po vdesin, Kosova ka më së paku ose fare vaksina të kontraktuara dhe të blear. Gjendja është alarmante. Ka krim, ka vrasje, pothuajse çdo ditë. Institucionet e Kosovës duhet të merren me këto gjëra, me fatin e qytetarëve të Kosovës. Por, edhe në aspektin diplomatic, Kosova dhe liderët, në këtë rast edhe presidentja edhe ministri i jashtëm, do të duhej të merreshin me arritjen e njohjeve të reja të Republikës së Kosovës sepse janë edhe 5 vende brenda Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën. Në vend që të merren me problemet kryesore, esencilae të shtetit të Kosovës, ata merren me shkarkime jo vetëm të ambasadorëve. Por, si lajm dhe sukses të tyre e marrin një punë kur e kanë shkarkuar apo dëmtuar ndokënd, e në fakt duhet të jetë e kundërta. Ne dëshirojmë të dëgjojmë se është hapur një Ambasadë e re, është caktuar një ambasador i ri, është bërë një mision i ri diplomatik apo se Kosova aplikon për anëtarësim në UNESCO, OKB, në Interpol. Këto do të ishin suksese me të cilat do të duhet të merreshin liderët e institucioneve të Kosovës.