Fjalë Kyçe

Dëgjohen alarme në veri, serbët bllokojnë rrugët në Rudarë dhe Leposaviq

Dëgjohen alarme në veri, serbët bllokojnë rrugët në Rudarë dhe Leposaviq

Incidentet në veri të Kosovës kanë filluar të shtohen ditëve të fundit, pasi autoritetet e vendit filluan përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave atje.

Telegrafi mëson se pak minuta më parë janë dëgjuar alarme në pjesën veriore të vendit.

Ndërsa, REL raporton se rrugët janë bllokuar në Rudarë, komuna e Zveçanit, si dhe në Leposaviq.

Ndryshe, Policia e Kosovës që nga e marta është duke u përballur me sulme të vazhdueshme nga persona të panjohur në pjesën veriore.

Policia njoftoi se një pjesëtar i saj është lënduar lehtë gjatë një sulmi të armatosur të enjten mbrëma.

E rritja e tensioneve ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve më 18 dhjetor dhe autoritetet kanë lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së tyre, gjë që është kërkuar edhe nga diplomatët perëndimorë.

Zgjedhjet u shpallën pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës mes mospajtimeve mbi përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Procesi zgjedhor po bojkotohet nga Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës, që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe.