Fjalë Kyçe

Deklarata e plotë e 23-vjeçares që ishte sulmuar seksualisht nga ish-ministri i Shëndetësisë

Deklarata e plotë e 23-vjeçares që ishte sulmuar seksualisht nga ish-ministri i Shëndetësisë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, është shpallur fajtor për veprën penale “Sulm seksual”, duke u dënuar kështu me dy vite burgim. Derisa ishte në vendin e tij të punës, ai kishte ngacmuar seksualisht një 23-vjeçare që po qëndronte në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë me vajzën e saj të sëmurë

Gazeta Express kishte publikuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës në të cilën gjenden të gjitha detajet se si ka ndodhur rasti.

“Më kapi dorën e djathtë në krah dhe më futi brenda. E mbylli derën me çelës dhe e ndali dritën. Tentoi të më puthë me zor e të më prekë me duar edhe në shpinë, por nuk arriti sepse nuk e lejoja duke e shtyrë. Kur i kërkova ta hapë derën, sepse do ta thërras sigurimin, më tha “vetëm po dua me ta matë pulsin”, është dëshmia e viktimës për natën kur u sulmua nga mjeku Numan Baliq në Spitalin e Pejës.

Në aktakuzë thuhet se mbrëmjen e 12 gushtit të këtij viti, rreth orës 22:00, Baliq në cilësinë e profesionistit shëndetësor, me dashje ka keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës, e ka prekur me qëllim seksual, pa pëlqimin e saj.

“Me datën 12 gusht të vitit 2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor duke keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj…I pandehuri e kap për dore të djathtë dhe e fut brenda, e mbyll derën me çelës dhe e ndalë rrymën si dhe e mbështet të dëmtuarën te muri ku i kërkon asaj që ta prekë dhe tenton ta puthë në qafë duke i thënë “a ki nevojë për diçka”, por që viktima largohet, ndërsa i pandehuri e kap përsëri dhe e shtrëngon në dorë, pastaj e dëmtuara arrin ta shtyjë nga vetja dhe hapë derën dhe largohet me ç’rast kthehet në dhomën numër 5 dhe nga dritarja kërkon ndihmë te roja i sigurimit, më pas raporton rastin në Polici”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, viktima kishte besuar në uniformën e mjekut, ndaj kishte shkuar të konsultohej me të rreth shëndetit të vajzës.

“E dëmtuara më pas ka shtuar se i akuzuari asnjëherë më parë (nda data e pranimit e deri në natën kritike, nuk kishte qenë për t’ia kontrolluar fëmijën) dhe se atë natë e dëmtuara duke besuar në uniformën e tij dhe nga nevoja për ndihmë të fëmijës, ka shkuar në zyrën e tij”, thekson aktakuza.

E pyetur nëse mjekët i kanë rekomanduar për aparatet lidhur me ekstremitetet e vajzës, viktima është përgjigjur “po”, mirëpo ka deklaruar se mjekët i kanë thënë se ato mjete duhet t’i blejë personalisht dhe jo që do të ia jep spitali.

Viktima ka mohuar se ka kërkuar nga i dyshuari që të bisedojë me mjekët tjerë apo me drejtorin e Spitalit, për të ia siguruar aparatet për vajzën.

Çka thonë dëshmitarët?

Dëshmitarja e cila kishte qenë në dhomë me të dëmtuarën ka deklaruar se atë natë ka qenë në “kllapë të gjumit” dhe e dëmtuara është kthyer shumë e shqetësuar në dhomë dhe e ka thirrur sigurimin e spitalit, më pas dëshmitares i ka thënë “tentoi të më dhunojë doktori”.

Ndërkohë dëshmitari tjetër ka deklaruar se atë natë ka shkuar në spital me kërkesë të tyre për dezinfektim dhe pasi ka arritur te Emergjenca, aty nga dritarja e Ortopedisë e kishte thirrur e dëmtuara (të cilën e njeh sepse e ka fqinje) dhe i ka kërkuar atij të shkojë te dhoma e saj, por që ky fillimisht ka refuzuar ndërsa më pas një koleg i tij i kishte thënë “shko se ka pasur diçka problem më herët”.

Kur i njëjti ka shkuar, e dëmtuara i kishte treguar për rastin (duke mos e njohur mjekun, vetëm e ka përshkruar atë), dhe ajo i kishte kërkuar fillimisht dëshmitarit që t’i ndihmojë të arratiset nga Spitali, por kur dëshmitari ka refuzuar, atëherë viktima ia kishte kërkuar telefonin dhe nga telefoni i tij e kishte raportuar rastin në Polici.

Ai po ashtu ka shtuar se “…nga përshkrimi i mjekut që ia kishte bërë viktima në bazë të zyrës së tij, e kishte ditur që bëhet fjalë për Dr.Numanin” sepse të njëjtin e njeh pasi ka punuar në repartin e kirurgjisë dhe që zyra (dhoma) e tij ndodhet në atë vend që e kishte përshkruar e dëmtuara.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se pasi ka shkuar aty, viktima ka dalë nga dhoma në korridor dhe i ka treguar se ka pasur problem me një doktor “boshnjak” dhe ishte e shqetësuar dhe e përlotur.

Dëshmitari ka deklaruar se viktima e ka përshkruar mjekun në fjalë vetëm si boshnjak, i vjetër me flokë të thinjura. Ai fillimisht nuk e kishte ditur se kush është, por ka dyshuar se mund të jetë doktor Numani, duke e ditur se i njëjti atë natë ishte edhe kujdestar.

Ai ka deklaruar se kolektivi i stafit të spitalit i ka kërkuar që të bisedojë me viktimën për të kërkuar nga ajo që ta tërheq denoncimin, mirëpo ky pasi ia ka thënë asaj këto fjalë, po ashtu i ka thënë “për këtë çështje vendos vetë”.

Ndryshe, sipas aktgjykimit të shpallur të enjten nga gjykatësi Shaqë Curri, Baliq është dënuar me dy vite burgim. Në këtë dënim, Baliqit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Po ashtu, ndaj Baliqit u shqiptua edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit të mjekut në periudhë prej dy viteve.

Ai u obligua që për shpenzime procedurale të paguajë 50 euro, kurse për fondin e kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 30 euro.

E dëmtuara u udhëzua në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Baliq ishte akuzuar për sulm seksual edhe në vitin 2018.

Më 12 shtator të vitit 2018, një 17-vjeçare kishte akuzuar kirurgun Numan Baliq se e kishte ngacmuar seksualisht.

17-vjeçarja po ndiqte mësimet praktike në këtë spital, ku edhe pretendonte se ishte ngacmuar seksualisht nga ish-ministri.

Në gusht të vitit 2019, Baliq ishte liruar nga aktakuza, duke u shpallur i pafajshëm.