Fjalë Kyçe

Deksametazona “po u shpëton jetën” të sëmurëve me koronavirus

Deksametazona “po u shpëton jetën” të sëmurëve me koronavirus

Një ilaç i lirë dhe tejet i qasshëm, i quajtur deksametazonë (dexamethasone), mund të shpëtojë mijëra jetë njerëzish, që janë shumë të sëmurë me koronavirus.

Ekspertët britanikë kanë thënë se trajtimi me këtë steroid, në doza të vogla, përbën pikë kthese në luftën kundër virusit vdekjeprurës.

Trajtimi me të ka ulur rrezikun e vdekjeve për një të tretën, te pacientët që kanë qenë në ventilatorë.

Për ata që i janë nënshtruar oksigjenoterapisë, ka ulur shkallën e vdekshmërisë në një të pestën.

Ky ilaç është pjesë e testimeve që po bëhen në gjithë botën, për të kuptuar nëse ndonjë trajtim që veçse ekziston, mund të funksionojë edhe për personat që kanë koronavirusin.

Hulumtuesit vlerësojnë se nëse ky ilaç do të kishte qenë i qasshëm në Mbretërinë e Bashkuar, prej nisjes së pandemisë, do të mund të ruante mbi 5,000 jetë njerëzish.

Nga fakti se është i lirë, do të mund të përfitonin disa shtetet të varfra, që përballen me numër të madh të të infektuarve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Rreth 19 nga 20 pacientët që infektohen me këtë virus, shërohen pa shkuar në spital, transmeton BBC.

Nga ata që shtrohen në spital, shumica shërohen, derisa të tjerët mund t’i nënshtrohen oksigjenoterapisë apo ventilimit mekanik.

Mirëpo ata që janë në rrezik për jetën, kur janë trajtuar me deksametazonë, është parë se gjendja e tyre është përmirësuar.

Ky ilaç tashmë është përdorur për të zvogëluar inflamacionin për një varg sëmundjesh tjera, mirëpo tani duket se ai ndihmon në ndaljen e dëmit që mund t’i shkaktojë trupi, sistemit imunitar, kur tenton të luftojë viruset, siç është në këtë rast koronavirusi.

Përgjatë testimeve, të kryera nga një ekip në Universitetin e Oskfordit, rreth 2,000 pacientëve u është dhënë ky ilaç, dhe të njëjtit janë krahasuar me 4,000 pacientë tjerë, që nuk kanë marrë këtë trajtim.

Pacientëve që kanë qenë në ventilim, shkalla e vdekshmërisë u është zvogëluar nga 40 në 28 për qind.

Për pacientët që kanë qenë në oksigjenoterapi, shkalla e vdekshmërisë ka rënë nga 25 në 20 për qind.

Shefi i hulumtimit, Peter Horby ka thënë: Ky është ilaçi i vetëm që deri tani ka treguar shenja të uljes së mortalitetit dhe e ka zvogëluar atë në shkallë të rëndësishme. Është pikë e madhe e kthesës”.

Shkencëtari, Martin Landray ka thënë se të gjeturat tregojnë se për secilin pacient që ka nevojë për ventilim, mund të ruhet një jetë njeriu.

“Ekziston përfitim i qartë. Trajtimi zgjat për 10 ditë me deksametazonë dhe kushton 5 funta për pacient. Pra, kushton 35 funta për të ruajtur një jetë. Ky ilaç është i qasshëm në gjithë botën”.

Megjithatë, ky ilaç nuk duket se u ndihmon pacientëve me koronavirus që kanë simptoma të lehta, pra ata që nuk kanë nevojë për ndihmë në procesin e frymëmarrjes.

Në kudër të ilaçeve tjera që janë trajtuar për këtë virus, ka qenë edhe hidroksiklorina, që përdoret kundër malaries, mirëpo testimi me të është ndalur për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Në një tjetër ilaç remdesivir, është po ashtu duke u përdorur kundër këtij virusi, pasi besohet se shkurton kohën e shërimit të pacientëve më sëmundjen Covid-19.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se shtetet “duhet të jenë të përgatitura për mundësinë e rikthimit” të koronavirusit të ri, teksa Evropa vazhdon të rihapet dhe Kina përballet me shpërthim të ri, që ka nxitur mbylljen e disa pjesëve të Pekinit.

Teksa numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus arrin në 8 milionë, dhe numri i të vdekurve në 436,000, Ghebreyesus ka theksuar se janë dashur dy muaj për të regjistruar 100,000 raste të prekura me këtë virus – që tani përbën shifër ditore të infektimit – dhe se virusi është duke u përhapur me shpejtësi në Azi dhe territorin amerikan.