Fjalë Kyçe

Deliu-Kodra përsërit thirrjet për zgjedhje: Qeveria e karakterizuar me skandale të shumta korruptive

Deliu-Kodra përsërit thirrjet për zgjedhje: Qeveria e karakterizuar me skandale të shumta korruptive

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në konferencë për media ka thënë se Qeveria Kurti 2 është karakterizuar me “afera e skandale të shumta korruptive”.

Deliu ka përmendur arrestimin e të premtes të kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Gjakovë, Hasan Krasniqi.

Krasniqi u arrestua në Bullgar, pasi po kërkohej nga Interpoli dhe pritet të ekstradohet në Itali.

Deliu-Kodra ka thënë se Krasniqi është njeri i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Fillimisht, zgjedhja e tij si Kryeshef ka qenë në kundërshtim me ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi që i njëjti parasheh që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit. Ndërsa, tani, ai është edhe i dyshuar për vepra të tjera penale”, ka thënë Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra ka përmendur disa nga zyrtarët e Vetëvendosjes të cilët tha se “kanë zënë ballinat mediale me skandale dhe afera”.

“Besnik Mujeci: asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, i arrestuar në Shqipëri me 11 mijë e 300 tableta ekstazi, me vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Nagip Krasniqi: Ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, tani Kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës, i arrestuar nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesi. Nënshkrim i kontratave të dyshimta në vlerë prej miliona eurove. Faruk Mujka: Ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës gjatë mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilin, mediat kanë raportuar se si Komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri Ridvan Muharremi: Mik dhe bashkëpunëtor i Vetëvendosjes, i cili është i përfshirë në skandalin e keqpërdorimit të rezervave shtetërore. Mbi 600 mijë euro është dëmi që Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se i është shkaktuar buxhetit të shtetit”, ka thënë Deliu-Kodra.

Deputetja e PDK-së po ashtu ka përmendur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të cilin e ka quajtur “kupola e gjithë këtyre keqpërdorimeve”.

“Ambasadori Berishaj, si e dini, është përfshirë në një skandal të madh rajonal financiar, në tregtimin e energjisë elektrike, i cili dyshohet se peshon miliona euro, ndërsa vet ambasadori Berisha dyshohet se ka përfituar 600 mijë euro nga filiali i kompanisë GEN-I, me seli në Beograd”, ka thënë ajo.

Deliu-Kodra tha se këto “dëshmojnë për një qeverisje trivjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje, përplot me afera dhe skandale korruptive, të cilat kanë dëmtuar tejet shumë buxhetin e shtetit të Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”.

“Në dritën e këtyre zhvillimeve dhe kësaj qeverisje, e cila ka qenë tejet dëshpëruese, e paaftë dhe, në esencë korruptive, natyrisht edhe raportet ndërkombëtare për vendin tonë nuk kanë se si të jenë as të mira dhe as pozitive. Raporti i fundit i 29 shkurtit nga Freedom House, ka vlerësuar se Kosova është vend ‘pjesërisht i lirë’. Sipas këtij raporti kredibil amerikan, me bazë në Washington, institucionet e Kosovës mbesin të dobëta dhe korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar mosbesim të thellë publik ndaj qeverisë”, ka thënë Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe qeverinë se po “përkujdeset që të prishen raportet e ndërtuara me aleatët”.

“Tashmë janë bërë 8 muaj që Kosova edhe zyrtarisht është nën sanksione nga Bashkimi Evropian – ku po mbeten të bllokuara qindra-miliona euro investime për shtetin tonë”, ka thënë Deliu-Kodra.

Sipas saj, sot, Kosova është peng i një qeverisje korruptive, të paaftë, që po dëmton buxhetin e shtetit të Kosovës, mirëqenien e qytetarëve tanë, të ardhmen evropiane të shtetit tonë dhe aleancat tona historike.

Për këto arsye, Deliu-Kodra ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, tashmë ka kohë që kërkon shpërbërjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja të parakohshme sa më parë.

Deputetja e PDK-së i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të madh të gjitha aferat në të cilat është përfshirë kjo Qeveri dhe zyrtarët e saj.