Fjalë Kyçe

Dëme të mëdha nga erërat në Pejë, aktivizohet Shtabi Emergjencës

Dëme të mëdha nga erërat në Pejë, aktivizohet Shtabi Emergjencës

Për shkak të situatës së rëndë të krijuar pas erërave të forta në dy netët e kaluara, sot u mbajt mbledhja emergjente e Bordit të Drejtorëve të Komunës së Pejës.

Në këtë mbledhje u shqyrtuan raportet e drejtorëve të cilët paraqiten informata për dëmet e shkaktuara në shkolla, qendrat mjekësore, objektet bujqësore, gjendjen e rrugëve, dëmet në prona private, në zyrat administrative, objektet sportive dhe kulturore etj.

Si konkluzion u krijua Shtabi i Emergjencës të cilin e kryeson Muhamet Mahmutaj, drejtor, të cilët do ta marrin situatën në menaxhim, do të pranojnë dhe do të shqyrtojnë kërkesat e qytetarëve dhe do të kujdesen për rritjen e sigurisë në qytet.

U konstatua se janë shkaktuar dëme të mëdha në disa objekte shkollore kështu që ato e kanë ndërprerë mësimin. Shkollat e tjera janë inkurajuar që të vendosin së bashku, drejtorët me këshillin prindëror të shkollës, nëse ka kushte për mbajtjen e mësimit apo jo. Shtabi kërkon që shkollat të marrin vendime duke vendosur në prioritet sigurinë e nxënësve.

Ekipet emergjente do të dalin në terren gjatë gjithë kohës për të vlerësuar situatat e krijuara nga erërat. Qytetarët që kanë pësuar dëme nga erërat e forta, këshillohen që të bëjnë fotografi, të përshkruajnë dëmin dhe ta dorëzojnë në Drejtorinë e Emergjencës dhe ekspertët do ta shqyrtojnë lëndën.

Bazuar në dëmet e raportuara deri tani, duket se dëmet janë të mëdha. Meqenëse komuna i ka kapacitetet e kufizuara financiare, në ditët në vijim Komuna thotë se do t’i drejtohen edhe nivelit qendror për të kërkuar ndihmë për që të riparohen dëmet e shkaktuara.