Fjalë Kyçe

Dënimi deri në 5 mijë euro nëse qeni juaj ndeshet me një qen tjetër

Dënimi deri në 5 mijë euro nëse qeni juaj ndeshet me një qen tjetër

Kampanja Kundër Luftërave mes Qenve në Kosovë, që është një fushatë në kuadër të Kampanjës Kundër Luftërave mes Qenve në Botë, ka identifikuar raste të shumta të organizimit të luftërave mes qenve në Prizren, Gjakovë, Skenderaj, Suharekë, Gjilan, Ferizaj etj.

Kjo kampanjë ka nisur një peticion online për ndalimin e organizimit të luftëravemes qenve dhe deri më tani janë arritur të mblidhen 140.652 nënshkrime. Në këtë peticion bashkangjitur shihen pamje të luftërave mes qenve në Suharekë që zgjasin deri në një orë pa ndërprerë deri në ngordhjen e tyre.

Të gjithë ata që e shkelin Ligjin për përkujdesjen ndaj kafshëve, mund të dënohen deri në 5000 euro gjobë.

“Gjobitet për kundërvajtje me gjobë prej 100 deri 5.000 euro personi që bën organizimin e garave në të cilat testohet shpejtësia apo fuqia e kafshës, me ç’rast kafsha mund të pësojë dhembje, lëndime apo ngordhje apo bën organizimin e tyre në kundërshtim me dispozitat ligjore”, thotë në nenin 11 të ligjit.

Aktivistët e Kampanjës për Ndalimin e Luftërave mes Qenve për Express kanë thënë se ka raste kur persona të ndryshëm lëshojnë me qira deri në 1000 europronat e tyre të paluajtshme në arena për luftëra mes kafshëve.

Sipas tyre janë identifikuar edhe raste kur të miturit përfshihen në këto organizime të dënuara me ligj.

Sipas udhëheqësve të kësaj kampanje, ata kanë kontaktuar nëpërmjet email-it Policinë e Kosovës disa herë ku kanë paraqitur fakte të ndryshme, lidhur me persona të caktuar që kanë organizuar luftërat mes qenve. Ata për Express thanë se vetëm një herë kanë marrë përgjigje nga Policia e Kosovës dhe rastet tjera të paraqitura nuk janë trajtuar.

Organet kompetente, ende nuk kanë arritur të sensibilizojnë opinionin e gjerë se garat dhe organizimet e luftërave mes qenve janë të ndaluara me ligj, dhe ata të cilët organizojnë këto luftëra që shkaktojnë ngordhjen e qenve gjobiten sipas dispozitave ligjore në fuqi.