Fjalë Kyçe

Dënohet me 6 muaj burgim me kusht pasi pranoi se e ka goditur gruan e tij me një tavolinë plastike të vogël

Dënohet me 6 muaj burgim me kusht pasi pranoi se e ka goditur gruan e tij me një tavolinë plastike të vogël

Pasi pranoi fajësinë, Gjykata Themelore në Gjakovë e dënoi me 6 muaj burgim me kusht të akuzuarin B.F., për shkaktimin e lëndimeve të lehta trupore bashkëshortes së tij.Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën nga gjykatësja Ilirjana Hoti, dënimi me burgim ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Deshirë Jusaj, i akuzuari B.F. e ka pranuar fajësinë për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1 i Kodit Penal.Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se B.F., më 15 janar 2021, në shtëpinë e tij, i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore bashkëshortes së tij, A.G.Aty thuhet se pas një mosmarrëveshje mes vete rreth përkujdesjes së fëmijëve, e i ofenduar nga kritikat e bashkëshortes për lidhjen e tij jashtëmartesore shumëvjeçare, situata ishte tensionuar mes tyre, ashtu që B.F. merr një tavolinë plastike të vogël dhe me të njëjtën e godet në krahun e djathtë të dëmtuarën, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore.

Ndryshe, paragrafi 1 i nenit 185 të Kodit Penal thotë se: “1. Kushdo që personit tjetër i shkakton lëndim të lehtë trupor, i cili rezulton në: 1.1. dëmtimin e përkohshëm ose dobësimin e një organi apo pjese të trupit të personit tjetër; 1.2. zvogëlimin e përkohshëm të aftësisë së personit tjetër për të punuar; 1.3. shëmtimin e përkohshëm të personit tjetër; ose 1.4. dëmtimin e përkohshëm të shëndetit të personit tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.”