Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet e seancës plenare me kërkesën e deputetit Nait Hasani, në emër të deputetëve, që burgu i cili ka qenë në Prishtinë të shpallet burg-muze.
Sipas tij, kërkesën e kanë bazuar në trashëgiminë, të kaluarën dhe vuajtjet e popullit shqiptar në atë burg.
Hasani, në pikën për deklarime jashtë rendit të ditës, paraqiti kërkesën e dalë nga komisioni për barazi gjinore dhe të drejta të njeriut, ku kërkoi nga presidenti, kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe institucionet tjera relevante, që burgun e Prishtinës ta kthejnë në muze.
“Burgu i Prishtinës, që është transferuar në burgun e ri në paraburgim te Pallati i Drejtësisë, burgu që kanë qenë në Prishtinë të shpallet burg Muze. Kërkesa jonë është bazuar në trashëgiminë, të kaluarën, vuajtjet e popullit tonë, njerëzit që kanë kaluar nëpër këtë burg, dhe historia e këtij burgu që njerëzit të arrijnë atë pjesë si kërkesë e jona që ky burg të shpallet muze, burg i vuajtjeve, burg i sakrificave, i mundimeve, i vdekjeve, njerëzve që kanë kaluar atypari, duke përfshirë Adem Demaçi, vdekjen e Fazli Grajcevcit, Rexhep Malën, Kadri Osmanin, Hidajet Hysenin, Bajrush Xhemajlnin, Ali Aliun, Sejdi Veselin, Rrahman Bahtirin, Rahman Dini e shumë e shumë të burgosur të tjerë”, tha ai.
Hasani tha se ka dëshmi që është propozuar që ky burg të ndahet për agjenci të ndryshme, por sipas tij, duhet të kthehet në muze dhe të mbledh gjithë trashëgiminë e burgjeve të Kosovës, në mënyrë që të jetë dëshmi e krimeve që janë bërë ndaj shqiptarëve.