Komisioni për verifikim të mandateve i krijuar në Kuvend të Kosovës ka filluar punën, derisa, pjesa tjetër e deputetëve kanë shkuar në pauzë 15 minutëshe.
Mbledhja konstituive e legjislaturës po udhëhiqet nga deputeti më i vjetër, Jahja Kokaj i ndihmuar nga deputetja më e re e zgjedhur, deputetja e VV-së, Fjolla Ujkani.
Në Kuvend të Kosovës fillimisht është miratuar pika e parë e rendit të ditës. Me 111 vota për dhe asnjë kundër janë emërtuar anëtarët e komisionit për verifikim të mandateve,
Komisioni i përkohshëm e shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, ia paraqet Kuvendit raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit dhe e verifikon kuorumin në mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit.
Pas verifikimit të mandateve, deputetët betohen, derisa deklaratën e betimit e lexon kryesuesi i mbledhjes.
Pikë e fundit e rendit të ditës është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, që e përbëjnë kryesinë e Kuvendit.
Kujtojmë se partitë e para të dala nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, Vetëvendosja dhe LDK-ja në këtë seanca shkojnë pa marrëveshje për koalicion.