Fjalë Kyçe

Deputeti Humolli do të largohet nga Vetëvendosje

Deputeti Humolli do të largohet nga Vetëvendosje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, deklaroi se do të largohet nga Grupi Parlamentar i kësaj partie, më 22 mars, kur Qeveria Kurti i mbush dy vjet në qeverisje.

Ai i tha KOHËS të martën se pakënaqësitë e shumta ndaj Qeverisë dhe puna e pakët e kryeministrit Albin Kurti, kanë bërë që ta merr këtë vendim, derisa u shpreh se këtë e kishte paralajmëruar edhe dy vjet më parë.

“Në fillim e kam thënë këtë, nëse s’ka lëvizje dhe ndryshime të qeverisjes dhe të punëve, do të largohem nga Grupi Parlamentar. Pakënaqësitë janë të shumta, nuk po shohim ndryshime dhe punë të mëdha të Qeverisë Kurti. Në fillim, gjatë zgjedhjeve, Kurti më kishte thënë se duhej të futesha në listë për kandidat”, deklaroi Humolli.

Sipas deputetit, ai i kishte pasur tri kushte për Kurtin, para se të futej në listën zgjedhore.

“I kam kërkuar Kurtit që të investojë në fshatrat e Kosovës. T’i ndërtojë 1.000 stalla me nga 1.000 lopë dhe sera me pemë. Të gjitha këto do t’i kushtonin 400 milionë euro. Këto s’janë futur fare në plan. Kërkesa e dytë ka qenë që unë s’dua të ketë natyrë të konflikteve brenda Vetëvendosje, siç ka në partitë e tjera. As kjo s’më është plotësuar. Kam kërkuar që të gjithë qytetarëve të Kosovës t’i sigurohet nga një shujtë ditore e ushqimit”, tha Humolli.

Ai theksoi se nga kryeministri Kurti ka kërkuar edhe zhbërjen e Gjykatës Speciale, pasi sipas tij, kjo është e dëmshme dhe po i dënon vetëm shqiptarët, por tha se as këtu s’ka gjetur mbështetjen e duhur.

“Kurti s’më ka dëgjuar as këtu. Unë do të largohem, por nuk do të bëhem pjesë e asnjë partie tjetër, pasi mendoj se të gjitha janë të tilla, me konflikte”, shtoi ai.

Humolli ka qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dikur, por tha s’e s’ka gjasa të kthehet sërish në këtë subjekt.

“Jo, s’ka shanse. Edhe Kurti është bërë sikur Aleanca, s’po i mban premtimet e fjalët”.

Klikoni këtu nëse dëshironi t’i lexoni lajmet e fundit dhe të përzgjedhura në kanalin tonë zyrtar në Viber
Nga Ermir Bujupaj