Një shëtitje në malet e Dukagjinit e deputetit të AAK-së Bekë Berisha, do t’i kushtojë Telekomit të Kosovës afërsisht 9 mijë euro.
Kjo pasi ai dyshohet se u aksidentua me veturën e Telekomit, të cilën, që nga marsi i 2018-s, e ka vozitur bashkëshortja e tij, Besa Shatri-Berisha, e cila është kryesuese e Bordit të Telekomit.
Por deputeti Berisha nuk e ka pranuar aksidentin, duke refuzuar të japë sqarime për KTV-në.
Aksidentin me veturën e Telekomit e ka mohuar edhe kryesuesja Besa Shatri-Berisha, e cila i ka thënë Kohavisionit se ka një muaj që nuk e ka parë veturën dhe i është thënë se ajo është bllokuar dhe është dërguar diku për servisim.
Se kjo veturë është aksidentuar, faktohet me fotografitë të cilat i ka Kohavisioni.
Gjithashtu, televizioni ka arritur të konfirmojë se vetura është pronë e Telekomit, bazuar në të dhënat që ndodhen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.
Kjo ndërmarrje ka hapur edhe një proces të prokurimit, ku edhe e kishte përcaktuar vlerën e servisimit të automjetit në 9 mijë euro.
Por, sipas të dhënave, procesi i prokurimit ka dështuar.
Televizioni ka gati një javë që ka insistuar të marrë përgjigje zyrtare nga menaxhementi i Telekomit në lidhje me veturën dhe, përkundër zotimit nga këta të fundit se do të përgjigjen me kohë, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Telekomi i Kosovës, megjithatë, ka një garazh në të cilën rregullohen automjet e tyre.
Mekanikët, që në fakt janë punëtorë të rregullt të Telekomit, thonë se janë të aftë të riparojnë secilin model të veturave dhe këtë e bëjnë në praktikë për të gjitha veturat që u vijnë nga filialet e Telekomit, përjashto ato që janë me garancion.
Pavarësisht nëse është aksidentuar apo është bllokuar, vetura Range Rover ka qenë në posedimin e kryesueses së Bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, ani pse pozicioni i saj ligjor nuk lejon që ajo të ketë një makinë, pasi puna e saj me orar të plotë është në një ndërmarrje tjetër, derisa në Telekom detyra e saj është vetëm të udhëheqë dhe marrë pjesë në mbledhjet e Bordit, për çka paguhet.
“Anëtarët e Bordit të drejtorëve kanë të drejtë të veprojnë vetëm në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara në Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe aktet nënligjore në plotësim të këtij ligji. Ndërsa, sa i përket posedimit të automjeteve të ndërmarrjes, përdorimi i veturave i paarsyetuar nuk lejohet nga Bordi i drejtorëve. Kjo është e bazuar edhe në shkresën për racionalizimin e shpenzimeve të anëtarëve të bordeve të drejtorëve të ndërmarrjeve publike qendrore”, ka thënë për KTV-në Shuqeri Musliu, që drejton njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në MZHE.
Telekomi, vitin e kaluar nuk i paguar dividenta qeverisë dhe për më tepër e ka mbyllur vitin me humbje.