Presioni i Beogradit ndaj serbëve të Kosovës ka vazhduar gjatë së shtunës, kur deputeti Sllobodan Petroviq, u ndalua për 4 orë në pikën kufitare në Merdare.
Petroviqi që është edhe kryetar i Parisë Liberale Serbe, thotë se u mor në pyetje nga policia dhe më pas, nga shërbimi sekret serb.
Pas kësaj që i ndodhi nga autoritetet serbe, deputeti Petroviq shprehet i brengosur për sigurinë e familjes së tij.
“Të shtunën u nisa drejt një vizite private, për një kremtë te motra ime dhe në pikën kufitare në Merdare, si zakonisht, dorëzova dokumentet dhe pas verifikimit, një polic doli nga zyra dhe pas 15-20 minutave kontrolli e bisede, më tha të futem në një dhomë. I pyeta përse? Më thanë se kanë urdhër nga BIA që të më mbajnë derisa të vijë BIA, e siç më thanë pjesëtarë të BIA-s, ishin nisur nga Prokuplja të flisnin me mua. Unë qëndrova aty ndoshta 2 orë derisa erdhën dhe kur erdhën më thanë se janë nga BIA”, ka thënë Petroviq.
Petroviqi këtë e quan presion të vazhdueshëm nga Beogradi.
Ai thotë se u pyet për shumë tema si qëndrimet e tij për taksën e për Ushtrinë e Kosovës.
Petroviqi shpjegoi se u lirua më një urdhër, që sipas tij, erdhi nga Beogradi.
“Flisnim për gjërat e zakonshme, dogana, taksa 100 për qind, ushtria e madje edhe për imigrantët. Jo vetëm për tema në Kosovë, por tema të përgjithshme të njohura tashmë. Dhe kur u bë ora 16:00, u frikësova se s’do të më lironin mos më mbanin më gjatë. Kjo është e qartë se është presion ndaj meje për punën që e bëj dhe është e palejueshme, sepse qëllimi ishte që të frikësohem ose të më dërgojnë ndonjë porosi. Këto ngjarje frikësojnë serbët e qytetarët e tjerë të Kosovës, por është e nevojshme që institucionet ndërkombëtare të deklarohen për këtë”, ka thënë Petroviq.
Pikëpamjet politike ndaj Kosovës, për dallim nga Lista Serbe, thotë se po i kushtojnë me presion direkt nga Serbia.
“Ne e shohim këtë si një lloj presioni, sepse e dini që në Parlament i kemi dy subjekte politike që paraqesin serbët si SLS-ja dhe Lista Serbe. Qëndrimet tona janë krejt ndryshe. Ne jemi përfaqësues autentikë të serbëve këtu dhe i mbrojnë aq sa mundemi. Ne nuk kemi kurrfarë problemi me këtë. Dhe ja sot, nga kjo përvojë themi se mund të bëjnë edhe gjëra të tjera. Jam i sigurt se këto gjëra janë të qëllimshme e të palejueshme, andaj duhet reaguar, sepse disi duhet të parandalohen pasojat më të mëdha ose ndonjë tragjedi”, ka thënë Petroviq.
Ndalimi i Petroviqit në pikën kufitare në Merdare, është dënuar nga institucionet e Kosovës.