Fjalë Kyçe

Deputetja e PDK-së thotë se s’ka kuptim vazhdimi i dialogut pas deklaratës së Vuçiqit

Deputetja e PDK-së thotë se s’ka kuptim vazhdimi i dialogut pas deklaratës së Vuçiqit

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se nuk ka kuptim të vazhdohet dialogu pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq që tha se nuk do ta njehë Kosovën derisa është në krye të vendit.

Ajo tha se kjo deklaratë e serbit është kushtëzim për dialog, njofton Klan Kosova.

“Nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaron publikisht se ai nuk do ta njoh Kosovën gjatë mandatit të tij, atëherë prania e Kosovës në çfarëdo dialogu me Serbinë, nuk ka më asnjë kuptim. Ky deklarim i presidentit serb është kushtëzim i hapur ndaj dialogut ndërkohë që gjithë kohën është proklamuar nga ndërmjetësuesit se dialogu duhet zhvilluar pa kushtëzime. Kosova nuk mund as guxon të bëhet pjesë e një procesi dialogues ku zbatohen standarde të dyfishta”.

“Sidoqoftë, ky reagim vlen, thjesht, sa për të sjellë ndërmend sjelljen e vazhdueshme jokorrekte të Serbisë, në raport me dialogun, sjellje e cila do te duhej të shihej me shqetësim nga ndërmjetësit e këtij procesi. Përndryshe, Kosova do të ndjekë udhëzimin për një dialog të vetëm – që epilog ka njohjen reciproke dhe të drejtën e Kosovës për t’u bërë anëtare e kombeve të lira në OKB”.

Edhe ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj, ka thënë se deklarata e Vuçiqit nënkupton përjashtim nga dialogu.