Fjalë Kyçe

Deputetja shqiptare në Kroaci: E meritojmë mandatin, s’duhet ta humbasim

Deputetja shqiptare në Kroaci: E meritojmë mandatin, s’duhet ta humbasim

Kroacia pritet të mbajë zgjedhjet parlamentare pas një jave, ku sipas sondazheve favorit për të fituar janë të djathtët. Pjesë e legjislaturës së mëparshme është dhe një deputete shqiptare, Emina Lekaj Përlaskaj, e cila kërkon të rizgjidhet.

Dputetja tha se komuniteti shqiptar që jeton në Kroaci duhet të vijojë ta mbajë mandatin e përfaqësimit në parlament. Ajo shtoi se në garë janë dhe dy boshnjakë, komunitet me votues më të shumtë në numër, por thekson se ka besim se do ta fitojë sërish mandatin për shkak të punës së realizuar gjatë legjislaturave të saj.

“Për momentin çdo gjë është në rregull, puna në terren është shumë mirë. Jam në bisedime me bashkëatdhetarët tanë dhe jam duke i thënë që komuniteti shqiptar assesi nuk guxon ta humbasë vendin e deputetit në parlamentin kroat. Ne e dimë se këtu përfshihen 5 pakica, në mesin e tyre dhe boshnjakët që në numër janë më shumë se shqiptarët, megjithatë mendoj se ne shqiptarët meritojmë ta kemi pozitën e deritanishme. Me këtë pozitë kemi arritur dhe shumë benifite si komunitet, por jo vetëm ne si komunitet, por dhe shtetet tona siç janë Kosova dhe Shqipëria”.

“Jemi 4 kandidatë, 2 shqiptar dhe 2 boshnjakë. Njëri prej boshnjakëve po lobon shumë fortë, e sheh të arsyeshme se boshnjakët duhet ta kenë pozitën në parlament pasi janë më shumë se shqiptarët. Mirëpo harron që deri në 2015 ne na përfaqësonte një boshnjak, i cili nuk bëri asgjë për komunitetin e vetë dhe lërë më për komunitetet e tjera. Prej vitit 2015 jam unë si deputete, pasi jam zgjedhur tre herë radhazi. Rezultatet shihen mjaftueshëm jo vetëm për komunitetin shqiptar por dhe komunitetet e tjera”, tha ajo për Euronews Albania.