Aida Dërguti në Rubikon të KTV-së foli për fillin e problemit që çoi deri te ndarja e Vetëvendosjes dhe krijimi i PSD-së.
Dërguti mohoi se ndarja filloi nga mesazhi ku ajo e quajti Kurtin me shprehjen “m..”, apo pse nuk donin që Kurti të bëhej kryetar.
Ajo tregoi se e gjithë ish-Kryesia po prisnin të përfundonte balotazhi dhe të kishin diskutimin për gjendjen në të cilën ndodhej Vetëvendosja, kur Albin Kurti vendosi që ta lëshonte shtëpinë gjatë kohës sa ishte në arrest shtëpiak.
Sipas Dërgutit, ta lëshosh shtëpinë në atë kohë, në atë gjendje, për të shkuar në burg, ishte veprim i papërgjegjshëm nga vetë Kurti.
“Për mua kjo temë është dashur të përfundojë shumë moti, pastaj është zhvendosur debati sepse kanë folur të tjerët për ta, ka një vit e gjysmë që s’kam dal sepse s’kam dashur të përfshihem. Ai edhe kur nuk ka qenë kryetar ka qenë lider i të gjithë neve, lider i pakontestueshëm. Unë e them që duhet m’i sjell ata dy në studio dhe me tregu pse Albini ka fillu me dyshime për Dardanin në atë moment”, ka thënë Dërguti.
“Ishte në arrest shtëpiak dhe e patëm lënë që pas zgjedhjeve lokale dhe balotazhit të ulemi e të bisedojmë dhe për mua kjo ka qenë përpjekja e fundit për ta shpëtuar Lëvizjen Vetëvendosje, që ta zgjidhim një herë e përgjithmonë. Ai doli nga arresti pa e pyetur askënd. Asnjëherë në historinë e Vetëvendosjes nuk ka ndodhur ashtu pa u marrë vendim në Kryesi. Në krejt këtë periudhë nuk donte që të na takonte bashkarish por kishte takime individuale”, ka thënë Dërguti.
“Problemi nuk ka filluar te mesazhi im dhe as që nuk kemi dashur ta bëjmë kryetar. Problemi ka filluar dikund shumë më herët dhe ka filluar diskutim Dardani me Albinin dhe besoj se e kanë obligim mu qartësu dhe tash është një përpjekje e dytë”.
Ajo ka thënë se Albin Kurti dhe Dardan Molliqaj, ishin dy miqtë më të ngushtë, ata duhet të ballafaqohen.
“Pikërisht ky ka qenë gabimi sepse i kam thënë edhe Dardanit se nuk duhet të shkosh në debat me Glaukun, madje Glauku ka qenë shumë konstruktiv në gjithë këtë dhe s’ka pasur asnjë pikë faji, ka provuar që ta shpëtonte ndarjen”.
Kur është pyetur nëse është pishman se e quajti asisoj Kurtin, tha se “të gjithë në Vetëvendosje e din se unë në situate të stresit edhe shaj ndonjëherë”.
“Nuk e shoh atë si problem shumë të madh”, ka thënë ajo.