Mëngjesi i ditës së sotme e gjeti në një situatë të pazakontë Suharekën, për shkak të dy vrasjeve që ndodhën këtë të diel.
Fillimisht u raportua për një vrasje në një lokal të lojërave të fatit në këtë qytet, ndërsa brenda pak orësh u raportua edhe për një vrasje në Studenqan.
Në vrasjen që ndodhi në kazinonë në rrugën e Reshtanit, i vrarë mbeti Jetmir Alijaj, punëtor në këtë lokal, ndërsa dëshmitarët thonë të mos kenë dëgjuar të shtëna.
Dëshmitarët okularë të kësaj ngjarje janë shprehur se nuk kishin vërejtur diçka të pazakontë para se të ndodhte incidenti.
Rr. B., e cila punon në afërsi të objektit të lojërave të fatit ku u vra sot 35-vjeçari, Jetmir Aliaj, ka thënë se sot nuk kishin vërejtur se diçka e pazakontë kishte ndodhur aty parim.
Sipas asaj që thotë ajo, vrasja mund të ketë ndodhur në orët e para të ditës së sotme, para orës 7 dhe se i ndjeri ishte punëtor i kazinosë ku edhe u vra.
B: Lokalin e kemi hap në ora 7, nuk ka pasur krisma
“Kemi qenë duke punuar prej mëngjesit, prej orës 7. Nuk ka pasur as krisma, as kurrgjë, vetëm kur e kemi parë policinë në ora 10. I ndjeri ka qenë prej fshatit Mushtisht. Nuk ka pasur kurrfarë të dyshuari, tjetër gjë nuk kemi parë”, tha ajo.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këtë vit, janë tri raste më pak të vrasjeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të tyre, në janar 2018 deri në muajin mars kanë qenë 9 raste të vrasjeve, ndërsa në vitin 2019 kanë qenë 6 raste