Fjalë Kyçe

Dështimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ja kë e akuzon Arben Gashi i LDK-së

Dështimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ja kë e akuzon Arben Gashi i LDK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se për shkak të mungesës së Listës Serbe në Kuvend nuk ka qenë i mundur votimi i projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Gashi ka pasur kritika edhe ndaj opozitës.

“Ne sot tentuam që të mbajmë seancën e jashtëzakonshme për leximin e dytë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, mbajtja e kësaj seance u pamundësua nga një pjesë e partnerëve të koalicioni dhe nga veprimet obstruktive të opozitës. Nuk po vjen Lista Serbe në seancë”, ka thënë ai.

Gashi ka kërkuar nga gjithë deputetët e Kosovës të vijnë dhe t’i kryejnë detyrat e veta kushtetuese.

“Një pjesë e opozitës dhe koalicioni qeverisës po bëjnë veprime obstruktive”, tha ai.

Sipas Gashit, qytetarët do ta kenë shumë vështirë që ta përballojnë një mbyllje të dytë.

“Unë mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm, ekonomia dhe qytetarët do ta kenë shumë vështirë ta përjetojnë edhe një mbyllje. Mbetet të koordinohet me të gjitha palët dhe kur është më e mundshme që të mbahet një seancë e suksesshme, sepse kosovarët do të përballen me një dimër të ftohtë”, ka thënë Gashi.

Gashi ka shtuar se nuk ka përqarje në koalicion sa i përket presidentit sepse nuk ka ndonjë marrëveshje për këtë post.

“Qeveria është në detyrë dhe ka legjitimitetin e plotë që të veprojë në interes të qytetarëve. Ky koalicion nuk ka marrëveshje për presidentin dhe nuk ka përqarje për këtë çështje”, shtoi ai.