Fjalë Kyçe

Dështimi i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, për arsyet nuk u njoftuan as përfaqësuesit e Grupeve Parlamentare

Dështimi i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, për arsyet nuk u njoftuan as përfaqësuesit e Grupeve Parlamentare

Kryesia e Kuvendit të Kosovës parashihej të mblidhej sot me fillim nga ora 11:00.

Por pak minuta para se të fillonte kjo mbledhje, nga Kuvendi i Kosovës është njoftuar se mbledhja është shtyrë për një ditë tjetër.

Pa asnjë arsyetim të vetëm, anëtarët e Kryesisë së Kuvendit janë njoftuar shkurt se mbledhja është shtyrë.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar Shefin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Tahiri e ka cilësuar këtë si papërgjegjësi komplete të Kuvendit të Kosovës me mënyrën se si po funksionohet në kuadro të mbledhjeve të Kryesisë, e deri tek seancat plenare.

Ai madje theksoi se as atyre nuk iu është dhënë asnjë detaj se pse është bërë shtyrja e kësaj mbledhje.

“Nuk kemi kurrfarë informate. Kjo është e tmerrshme, është plotësisht e papranueshme. Kuvendi i Kosovës është plotësisht jonfunksional. Të shtyhet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit pa kurrfarë arsyetimi, pa kurrfarë argumentimi”, tha ai.

Tutje Tahiri tha se mosprezenca, si dhe mospuna në Kryesi reflektohet drejtpërdrejtë edhe në seancë plenare.

“Kjo tregon joseriozitet të jashtëzakonshëm”, shtoi ai.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit pritet të diskutohej edhe për seancën e radhës plenare, ku në rend ditë do të jetë debati parlamentar mbi veprimet e Qeverisë Kurti për alternativat e diversifikimit të energjisë nga Projekti i Gazit me MCC.

Duhet përkujtuar që situata të tilla me dështimin e mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit ka patur shumë së fundi.

E të gjithë këto më pas kanë krijuar pakënaqësi te përfaqësuesit e Grupeve Parlamentare, të cilët thonë se kjo është papërgjegjësi totale.