Sërish ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj deputetëve Milaim Zeka dhe Frashër Krasniqi, të cilët po akuzohen për përleshjen e vitit 2017, në studion televizive të Klan Kosovës.
Si shkak i dështimit të kësaj seance ka qenë mungesa e gjykatësit të rastit, Hanefi Jashari.
Zyra ligjore e gjykatësit, ka njoftuar se Jashari nuk ka mundur të jetë prezent në gjykim pasi që ka rast vdekje.
Sipas zyrës së gjykatësit, posa ai të kthehet në punë do të bëj një shënim zyrtar dhe do të caktojë seancën e radhës, me ç’rast të akuzuarit do të ftohen në mënyrë të rregullt.
Në gjykatë të mërkurën është paraqitur i akuzuari Krasniqi, ndërsa sërish nuk është paraqitur i akuzuari tjetër Milaim Zeka.
Ndryshe, në seancën e 23 korrikut e cila kishte dështuar të mbahej pasi që kishin munguar dy të akuzuarit, gjykatësi Jashari kishte bërë të ditur se të akuzuarve do tu dërgoheshin ftesat në selitë e partive të tyre, duke shtuar se në rast të mungesës pa arsye, të njëjtive do tu lëshohet urdhëresë për sjellje me polici.
Më 19 korrik të këtij viti, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar ekskluzivisht për ngritjen e aktakuzës në këtë rast, sipas të cilës prokuroria e ngarkon Krasniqin me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Zekën me veprën penale “kanosje”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngjarja ka ndodhur më 29 shtator 2017, rreth orës 17:40, në Prishtinë, në lokalet e objektit të “Klan Kosova”, në studion e emisionit “Info Lokale”, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, në të cilin emision Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka ishin të ftuar në cilësi të Deputetëve të Parlamentit të Kosovës, me temën “Mos funksionalizimi i Parlamentit dhe zgjedhjet lokale”
Prokuroria pretendon se të akuzuarit nuk i janë përmbajtur temës së emisionit për të cilën ishin të ftuar dhe gjatë debatit kanë filluar ta fyejnë njëri-tjetrin dhe për një moment janë ngritur në këmbë dhe kanë filluar të shkojnë në drejtim të njëri-tjetrit, ashtu që i pandehuri Frashër Krasniqi ka filluar ta sulmojë fizikisht Milaim Zekën duke e goditur me grusht në regjionin muror të anës së majtë të kokës, me ç’rast të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Kurse sipas dispozitivit të dytë, në të njëjtën datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, i akuzuari Milaim Zeka, pasi që ishte sulmuar fizikisht nga Frashër Krasniqi, i ishte drejtuar me fjalët “me ty do të merrem pas emisionit”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikësimit se do ti shkaktojë ndonjë të keqe.