Fjalë Kyçe

Detaje nga përleshja në mes zyrtarëve policorë dhe qytetarëve në Ferizaj

Detaje nga përleshja në mes zyrtarëve policorë dhe qytetarëve në Ferizaj

Gjatë mbrëmjes të së premtes në qytetin e Ferizajt ka ndodhur një gjë e pazakontë. Dy zyrtarë policorë janë përleshur fizikisht në mes të qytetit me dy qytetarë. E kjo ngjarje, ka tronditur mbrëmë Ferizajn. Sipas policisë, rrahja nisi pasi dy qytetarë nuk po i bartnin maskat në publik si dhe refuzuan t’i binden urdhrit të zyrtarëve policorë.

Por, hetime të detajuara për këtë punë tashmë ka nisur Inspektorati Policor i Kosovës. Këta të fundit në një përgjigje dhënë Gazetës Express kanë treguar se dy personat e arrestuar nga policia janë dërguar në emergjencë nga vet policia për kontrollim mjekësor.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e IPK-së pas njoftimit për këtë rast kanë dalë mbrëmë në vendin e ngjarjes. Në këtë rast kanë qenë të përfshirë dy zyrtarë policorë të cilët kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë Expressit.

Hetuesit e IPK-së kanë kontaktuar edhe me dy personat e arrestuar nga policia të cilët janë dërguar në emergjencë nga vet policia për kontroll mjekësore  dhe të njëjtit kanë deklaruar se trajtimi i tyre në stacionin policor ishte korrekt.

“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore në koordinim me Prokurorinë drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit në fjalë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të IPK-së për Gazetën Express.

E nga përleshja fizike kanë pësuar lëndime trupore edhe zyrtarët policorë të përfshirë në rast.

E megjithëkëtë, mbrëmë nga policia rajonale e Ferizajt i kanë dhënë detaje Expressit për këtë rast.

Zëdhënësi i policisë në Rajonin e Ferizajt Agim Gashi, i cili edhe konfirmoi se qytetarët në fjalë nuk i kanë respektuar rekomandimet e IKSHPK-së.

“Rreth orës 21:10 minuta njësitet policore të angazhuara në bazë të planit operativ gatishmëria dhe reagimi ndaj Covid-19 kanë hasur në dy qytetarë që nuk kanë respektuar vendimet e institucioneve shtetërore. Në momentin kur policia ka kërkuar letërnjoftimet nga ta, ata nuk kanë zbatuar urdhrat e policisë dhe kanë sulmuar dy pjesëtarë të policisë”, ka thënë Gashi.

Më poshtë mund t’i shihni pamjet e kësaj përleshjeje në qendrën tregtare “Village” në Ferizaj.