Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një mëngjes pune me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, njëherësh kryesues i OSBE-së.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar ministrin Lajçak për përkushtimin e institucioneve të Kosovës në zhvillimin ekonomik, zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane dhe forcimin e rendit dhe ligjit.
Në këtë takim, kryeministri Haradinaj tha se bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy vendeve është i rëndësishëm, duke theksuar se njohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, veçanërisht nga Sllovakia, është kontribut i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin në gjithë rajonin.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj kërkoi nga ministri sllovak ndihmën e shtetit të tij për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe për anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatatndërkombëtare.
Kryeministri Haradinaj shprehu gatishmërinë e Qeverisë për të vazhduar bashkëpunimin me OSBE-në në forcim të institucioneve demokratike të vendit si dhe të qeverisjes së mirë.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj e falënderoi Ministrin Lajćak për qëndrimin e tij të qartë kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, njëherësh kryesues i OSBE-së, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit mes dyja vendeve.