Fjalë Kyçe

Detaje të reja nga takimi Haradinaj-Merkel, do të kërkohet mbështetje për vizat dhe dialogun

Detaje të reja nga takimi Haradinaj-Merkel, do të kërkohet mbështetje për vizat dhe dialogun

Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin që Haradinaj do të ketë nesër me Kancelaren Gjermane, Angela Merkel.

Aty është bërë e ditur që Haradinaj ka udhëtuar sot në Berlin, i ftuar nga Kancelarja Merkel, shkruan lajmi.net.

Po ashtu, Haradinaj gjatë kësaj vizite do të ketë takim bilateral me kancelaren Angela Merkel, Kryetarin e Bundestagut Ëolfgang Schauble, si dhe me deputetët e Grupit Parlamentar për Evropën Juglindore të Bundestagut, Dr. Johann Wadephul Christian Schmidt, Nikolas Löbel, Manuel Sarrazin dhe Hans Peter Bartels, do të marrë pjesë në konferencën “Takimet ndërkombëtare” dhe do të jetë pjesë e lutjeve të mëngjesit në Berlin.

Kjo vizitë pune do të ketë për qëllim thellimin e marrëdhënieve dhe besimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë si partnere strategjike.

Kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar shumë të rëndësishme vizitën dhe takimin me kancelaren Merkel, tha se Gjermania ka pasur dhe ka një rol të jashtëzakonshëm në proceset jetike të shtetndërtimit të Kosovës dhe gjithashtu ka theksuar se Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë, gjithmonë duke respektuar vetveten dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, duke ruajtur integritetin territorial dhe partneritetin me aleatët e përhershëm të saj.

Gjatë këtyre takimeve, kryeministri Haradinaj do të kërkojë mbështetjen e Gjermanisë në rrugën euro-atlantike, liberalizimin e vizave, pasi që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian, si dhe për procesin e dialogut dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Gjermani.

Shteti gjerman, sipas Haradinajt, ka dhënë kontribut të rëndësishëm për Kosovën në të gjitha periudhat duke qenë mbështetës i zhvillimit ekonomik dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, theksoi se partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë është i një rëndësie të veçantë, duke njohur rolin dhe kontributin e Gjermanisë edhe në procesin e Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor.