Fjalë Kyçe

Detaje të tmerrshme nga vrasja e shumëfishtë në Gjilan, policja qëlloi nënën derisa qante djalin e vrarë

Detaje të tmerrshme nga vrasja e shumëfishtë në Gjilan, policja qëlloi nënën derisa qante djalin e vrarë

Sot janë bërë një javë që nga vrasja e shumëfishtë në Gjilan.

Një javë më parë, një ngjarje e rëndë ka tronditur gjithë Kosovën, pasi që policja Valdete Bllaca në Gjilan kishte vrarë nënë, babanë, dy vëllezërit dhe më pas kishte bërë vetëvrasje.Vrasja e shumëfishtë është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit dhe zyrtarisht ende nuk ka të dhëna se si ka ardhur deri te ky krim.

Xheladini, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, ka bërë të ditur për lajmi.net, se në orët e para të mëngjesit policja Bllaca kishte vrarë katër anëtarët e familjes, përderisa vetëvrasje kishte kryer gati katër orë më pas.“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke hetuar rastin, në të cilin dyshohet se zyrtarja policore, tani e ndjera V.B., në orët e para të mëngjesit rreth orës 7:40 minuta, të datës 18 shkurt 2020, me armë zjarri fillimisht kishte vrarë katër anëtarët e familjes së saj, kurse dyshohet se rreth orës 12:50 minuta, me të njëjtën armë kishte kryer aktin e vetëvrasjes”, ka treguar Xheladini për lajmi.net.Ajo po ashtu ka bërë të ditur se policja e ndjerë, kishte pranuar më parë tretman mjekësor dhe e kishte pasur të rekomanduar që të punonte pa armë dhe pa uniformë.

“E ndjera kishte pranuar tretman mjekësor, ku në bazë të raporteve ishte rekomanduar që e njëjta të punonte pa uniformë dhe pa armë zyrtare”, ka theksuar Xheladini.Mirëpo, në anën tjetër burime të lajmi.net kanë treguar në detaje se si ka ndodhur ngjarja e rëndë e një jave më parë në Gjilan.

Sipas këtyre burimeve, policja Valdete Bllaca fillimisht e kishte vrarë vëllanë që ishte në gjumë, ndërkaq babanë e kishte vrarë në dhomën e ndejës, kurse nënën dhe vëllanë tjetër në korridor.

Sipas po të njëjtave burime, Valdete Bllaca e kishte vrarë nënën e saj derisa ishte përkulur te koka e djalit të saj të vrarë në korridorin e shtëpisë.“Njëri vëlla dyshohet se ka qenë në gjumë, babi është vrarë në dhomën e ndejës, ndërsa nëna dhe vëllai tjetër në korridorin e shtëpisë. Sipas pozicionit që janë gjetur trupat e viktimave, vërehet se policja e ka vrarë fillimisht vëllanë e saj në korridor, kurse nënën e ka vrarë pranë trupit të vëllait të saj e cila ishte përkulur në kokën e të birit të vrarë”, kanë bërë të ditur burime të lajmi.net, brenda forenzikës.

Sipas po të njëjtit burim, pasi që policja në mëngjes i ka vrarë katër anëtarët e familjes, ajo ka dalë në kafene me tezën e saj dhe i ka dorëzuar 12 mijë e 500 euro me qëllim që t’ia ruante.“Gjatë kohës sa ka qenë me tezen, Valdetja non-stop ia ka përmend vdekjen. Edhe tezja ka dyshu që diçka nuk është në rregull pasi që edhe s’ka mundur ta kontrolloj veten. Tezja e vet e ka lajmëruar vëllanë e saj, pra dajën e Valdetes, edhe më pas rreth orës 12:45 ata kanë shku në shtëpi, por kur kanë mbërri aty, Valdetja ka dalë edhe nuk i ka lanë më hy brenda duke thënë që krejt anëtarët e familjes janë duke fjetur, pavarësisht se këta kanë insistuar që të hynë në shtëpi ajo prapë nuk i ka lënë.

Valdetja me shpejtësi ka hy brenda në shtëpi edhe pas disa minutave, tezja dhe daja i saj kanë digju të shtëna me armë, pra momentin kur ajo ka bërë vetëvrasje”, ka treguar ky burim i lajmi.net.Pesë anëtarët e familjes Bllaca, Zeqiri, Hanifja, Valdetja, Lirimi e Fisniku, janë varrosur në fshatin Cërnicë të Gjilanit më 20 shkurt të këtij viti.