Fjalë Kyçe

Dhjetë emigrantë ikin nga qendra në Vranidoll pasi i rrahën dhe i lidhën rojet

Dhjetë emigrantë ikin nga qendra në Vranidoll pasi i rrahën dhe i lidhën rojet

Tre pjesëtarë të sigurimit në Qendrën e Mbajtjes së të Huajve në Vranidoll të Prishtinës mbetën të lënduar mbrëmjen e 8 marsit, teksa u sulmuan nga 10 shtetas të huaj të vendosur në këtë Qendër.

Qëllimi i emigrantëve të vendosur në këtë Qendër, e cila menaxhohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ishte të arratiseshin nga aty, gjë të cilën edhe ia dolën.

Megjithëse kjo qendër thuhej se ishte hapur nga Ministria e Punëve të Brendshme për t’i shërbyer Policisë së Kosovës që “gjatë punës së tyre në terren, qytetarët që ndalohen në mungesë dokumentacioni, të dërgohen në këtë qendër për arsye të sigurisë publike”, mbrëmjen e 8 marsit, siguria nuk dukej se ishte në nivelin e duhur.

Policia e Kosovës kishte arrestuar një ditë më pas dy nga të arratisurit, të cilët i ktheu përsëri në qendër, dhe për të cilët nuk dihet ende nëse janë ndërmarrë masa disiplinore.

Telegrafi ka kërkuar dy herë leje nga Ministria e Punëve të Brendshme për të kontaktuar me drejtorin e kësaj qendre për më shumë detaje rreth rastit, por dy herë ka marrë përgjigje negative.

Sipas rregullores së Ministrisë së Punëve të Brendshme nr. 03/2014 për funksionimin e Qendrës për Mbajtjen e të Huajve, parashihen që “pasi të konstatohet arratisja apo tentativa për arratisje, menjëherë njoftohet udhëheqësi i Qendrës, i cili merr masa të menjëhershme për njoftimin e stacionit më të afërt policor dhe DMH-së”.

Kjo procedurë si duket ka shkuar mirë pasi Policia në përgjigjen dërguar Telegrafit ka njoftuar se rasti ishte hapur në Stacionin Policor të Veriut në Prishtinë dhe ishte iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”.

Policia po ashtu konfirmoi se dy nga personat e arratisur janë arrestuar dhe janë kthyer po në këtë qendër.

“Në këtë rast kanë qenë të përfshirë dhjetë (10) persona të dyshuar, të cilët pasi kanë shkaktuar lëndime trupore tre (3) pjesëtarëve të sigurimit dhe më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Me datë 09.03.2021 dy nga të dyshuarit janë arrestuar dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit, janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për të huaj në fshatin Vranidoll, ndërsa tetë (8) të dyshuarit tjerë gjenden në arrati”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Telegrafin.

Sipas informacioneve që ka Telegrafi, rojat e kësaj Qendre kanë shpëtuar me më pak lëndime për shkak se më shumë janë mbrojtur. Në këtë institucion shërbimi i sigurimit mund të përdorë forcën vetëm si mjet të fundit.