Fjalë Kyçe

Dhurohen 40 shtëpi të reja të ndërtuara në lagjen “Frashër”

Dhurohen 40 shtëpi të reja të ndërtuara në lagjen “Frashër”

Me ceremoni solemne është bërë dorëzim-pranimi i çelësave për 40 shtëpitë e ndërtuara në fshatin Frashër për familjet me nevojë sociale, projekt ky i realizuar nga Organizata “Qatar Charity” në bashkëfinancim me komunën e Mitrovicës.

Me rastin e dhurimit të çelësave morën pjesë kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, drejtori i organizatës “Qatar Charity”, Zyra në Kosovë, Esam Dabab, dhe bashkëpunëtorët e tij, drejtorë të drejtorive komunale, drejtori i QKMF-së, “Dr. Nexhat Çuni” dhe familjet përfituese.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka thënë se është nder i veçantë dhe kënaqësi që bashkë me miqtë nga “Qatar Charity” t’i bëjmë edhe 40 familje me banim, duke e zgjidhur çështjen më jetike, problemin e banimit, kur njerëzit kanë banim e kanë më të lehtë edhe organizimin e familjes dhe normalisht edhe jetën.

“Është projekt me vlerë milionëshe, dëshiroj t’i falënderoj kontribuuesit në këtë projekt dhe mbi të gjitha qytetarët dhe popullin mik të Katarit, që me paratë e tyre po kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe në adresimin e çështjeve socio-ekonomike në Kosovë”, ka thënë Hamza.

Më tutje kryetari Hamza ka potencuar se përveç 40 shtëpive kjo lagje ka edhe objekte përcjellëse e cila është një prej lagjeve me infrastrukturën më të kompletuar në komunën e Mitrovicës.

Ndërkaq, drejtori i organizatës “Qatar Charity”, Dabab, ka thënë se ndihet i lumtur me realizimin e këtij projekti, i cili për të ka qenë si ëndërr.