Fjalë Kyçe

Disa aktivistë ndryshojnë logon e 11 vjetorit të pavarësisë

Disa aktivistë ndryshojnë logon e 11 vjetorit të pavarësisë

Këto ditë u lansua logoja e shënimit të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në të cilin shihet figura e një burri në qëndrimin gatitu, me mbishkrimin “Kosova, nder dhe detyrë.”

Kjo i ka shtyrë disa aktivistë të të drejtave të njeriut që ta modifikojnë logon, në shenjë pakënaqësie.

Me idenë e Teuta Hoxha Jahajt, dizajneri Isuf Shala vendosi figurën e gruas pranë logos së 11 vjetorit.
Aktivistja për të drejtat e njeriut, Teuta Hoxha-Jahaj, ka thënë për se logoja aktuale është diskriminuese.

“Ideja për modifikimin e logos më erdhi me të parë logon zyrtare të 11 vjetorit të pavarësisë, logo tejet diskriminues që nuk përfaqëson barazinë në shoqërinë tonë, me vet simbolin e burrit në të dhe me tekstin, duke harruar totalisht punën dhe nderin që gratë dhe vajzat e Kosovës po na sjellin, logjikë kjo tejet e gabuar e përzgjedhësve të logos”, ka thënë Hoxha Jahaj për KosovaPress.

Ajo ka thënë se si e tillë logoja është e papranueshme, sepse mohon punën e grave e vajzave në shoqërinë kosovare.

Njëherësh, përmes logos së modifikuar, aktivistët kanë dashur të përçojnë edhe një mesazh për qeverinë.

“Duke marrë shkas nga ngjarjet më të rëndësishme që e karakterizuan vitin e kaluar, përmes modifikimit të logos dua të tregoj dhe t’i bëj thirrje qeverisë që të përkrahin guximin e vajzave dhe grave të cilat publikisht po e thyejnë stigmën dhe paragjykimet duke folur publikisht për përjetimet e tyre gjatë luftës dhe dhunën seksuale që po u ndodhë përditë. Duke thyer heshtjen dhe duke ekspozuar keqbërësit, qoftë kjo edhe brenda institucioneve shtetërore, ato domosdo kontribuojnë në thirrjen për forcimin e drejtësisë dhe demokratizimin e institucioneve dhe shoqërisë, gjë për të cilën Kosova ka më së shumti nevojë, 20 vite pas luftës e 11 vite pas pavarësisë”, ka shtuar ajo.