Fjalë Kyçe

Gjykata hedh poshtë aktakuzën ndaj Liburn Aliut dhe të akuzuarve të tjerë

Gjykata hedh poshtë aktakuzën ndaj Liburn Aliut dhe të akuzuarve të tjerë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut.

Ky aktgjykim është marrë sot nga trupi gjykues i kësaj Gjykate.

Me këtë aktvendim, nga akuza për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar janë liruar edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha – Parteshi, të cilët po ashtu asokohe ishin zyrtarë në Komunën e Prishtinës.

Ndryshe, më 23 mars 2021, ndaj ministrit Aliu u rënduan akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzoheshin edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzoheshin se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.

Ndryshe, Qeveria Kurti 2, në të cilën Aliu ka marrë pozitën e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është votuar më 22 mars 2021 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.