Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës, kanë nënshkruar të mërkurën koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor.
Marrëveshja u nënshkrua nga Nenad Rashiq, Partia Përparimtare Demokratike, Rada Trajkoviq nga Lëvizja Evropiane e serbëve në Kosovë, Dragisha Miriqm, Partia e Re e Kosovës dhe Branislav Markoviq.
Në deklaratën e përbashkët të këtyre subjekteve politike thuhet se qëllimi i tyre më i rëndësishëm, strategjik dhe politik do të jetë ruajtja dhe forcimi i serbëve të Kosovës në atë mënyrë që do të siguronte mbijetesë të qëndrueshme.
“Qëllimi ynë afatgjatë është të krijojmë kushte të mira jetese për serbët, zhvillimin e tyre shoqëror, politik, institucional dhe ekonomik. Ne jemi dëshmitarë të apatisë absolute te të rinjtë serbë, të cilët, për shkak të veprimeve të dobëta politike të përfaqësuesve aktualë, nuk shohin ndonjë perspektivë të mëtejshme në Kosovë, dhe gjithnjë e më shumë po zgjedhin të jetojnë jetën e tyre diku tjetër”, thuhet në deklaratë.
Përveç kësaj, në deklaratë është thënë edhe se këto subjekte do të jenë të hapura për çdo bisedim që synon, siç është thënë forcimin e “zërit të serbëve të Kosovës”, dhe vendosjen e shtyllave të një kthimi të sigurt të serbëve të zhvendosur, transmeton rel.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen më 6 tetor.