Fjalë Kyçe

Djali i Sabri Hamitit blen banesë 100 mijë euro, pa mbules

Djali i Sabri Hamitit blen banesë 100 mijë euro, pa mbules

Ish-diplomati i Kosovës në Zagreb, Urtak Hamiti ka bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit në cilësinë e Anëtarit të Këshillit Drejtues të Universiteti publik “Kadri Zeka” në Gjilan, institucion në të cilin është edhe mësimdhënës.

Ish-diplomati Hamiti e ka deklaruar një banesë në vlerë prej 100 mijë eurove, e blerë në vitin 2019, me sipërfaqe prej 117.00 m2. Ai ka shkruar se banesa është blerë me mjetet e fituar nga puna.

Por, nëse shikohen deklarimet e pasurisë së tij të deklaruar edhe në vitet tjera në AKK, Hamiti nuk ka mbulesë për banesën e blerë në vlerë prej 100 mijë eurove, për të cilën ka thënë se e ka blerë nga të hyrat vetanake të punës që bën.

Në deklarimin e fundit të pasurisë (qershor 2020), ka shkruar se ka para të gatshme në bankë në vlerë prej 1000 euro dhe 6000 në emrin e bashkëshortes. Pagën vjetore, sikurse edhe vitin e kaluar e ka deklaruar në vlerë prej 1134 euro në muaj nga puna e profesorit në UKZ dhe 200 euro si anëtar i bordit, ndërsa ka deklaruar edhe pagën e bashkëshortes në vlerë prej 850 euro. Po ashtu, në emër të bashkëshortes ka deklaruar një kredi të marrë në vlerë prej 15 mijë euro.

Hamiti e ka deklaruar pasurinë edhe në maj të vitit 2019 si zyrtar i lartë në UKZ. Në atë deklarim nuk figuron banesa, por ajo shihet se është blerë pas kohës që e ka bërë deklarimin e pasurisë. Në vitin 2019, profesori universitar kishte deklaruar se ka para të gatshme në vlerë prej 35 mijë euro dhe në emrin e gruas 6000 mijë euro, para të cilat figurojnë të njëjta në bankë edhe në 2020-ën.

Po të kalkulohet mbledhja e dy pagave, e tij dhe e bashkëshortes në harkun kohor maj 2019- qershor 2020 nuk arrin shuma në vlerë prej 100 mijë euro, edhe po qe kësaj i shtohet kredia e bashkëshortes e marrë në vitin 2010 në vlerë prej 15 mijë eurove, megjithëse Hamiti ka shënuar se banesa është blerë vetëm nga paratë e grumbulluara nga puna e tij.

Fillimisht, ai e kishte deklaruar pasurinë në vitin 2010, si zyrtar që punonte në ambasadën kroate. Marrë parasysh deklarimet e para të pasurisë së tij si zyrtar në ambasadë dhe deklarimet në tri vitet e fundit, Hamitit i është zbuluar edhe një garazh në vlerë prej 16 mijë eurove, për të cilën ka shënuar se është blerë në vitin 2002 dhe të cilën nuk e kishte deklaruar si zyrtar kur punonte në ambasadë.

Si pasuri të paluajtshme e ka deklaruar në të gjithë formularët edhe një banesë 94 m2 e përfituar në vitin 2001, vlera e të cilës është 140 mijë euro. Edhe për këtë banesë ka shkruar se është fituar nga të hyrat e punës së tij.

Urtak Hamiti është djali i ish-deputetit, njëherësh ish-anëtarit të kryesisë së LDK-së, Sabri Hamiti.