Fjalë Kyçe

Djali i Vokrrit i hapur të kthehet në FFK

Djali i Vokrrit i hapur të kthehet në FFK

Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit shqiptar Fadil Vokrrit, ka zbuluar se asnjëherë nuk ka pasur thirrje zyrtare për t’u kthyer në Federatën e Futbollit të Kosovës që prej se u largua në mënyrë kontroverse para më shumë se një viti, por ka lënë të kuptohet se është i hapur për t’u kthyer.

Në fillim të vitit 2019 Gramozi u largua nga shtëpia e futbollit të Kosovës, të cilën e kishte udhëhequr babai i tij deri kur ndërroi jetë, pas mosmarrëveshjeve me drejtuesit e saj, raporton “Gazeta Express”.

Pas 26 vjetëve në Francë, Gramozi u rikthye në Prishtinë më 2016 dhe u bë pjesë e FFK-së më 2018, menjëherë pas vdekjes së ish-presidentit Vokrri më 9 qershor.

Agim Ademi u emërua pasues i Fadil Vokrrit në krye të FFK-së, pozitë të cilën ai e mban edhe sot, por pas pak muajsh Gramozi kishte mospajtime me të dhe që prej vitit 2019 nuk është pjesë e federatës.

Ai e mohoi se drejtuesit e FFK-së i kanë bërë thirrje të kthehet, duke i quajtur lajmet e tilla thashetheme, por e pranoi se do të ishte i hapur për një gjë të tillë.

“Nuk kam marrë thirrje zyrtare për tu kthyer në federatë asnjëherë, kanë qenë më shumë thashetheme. Natyrisht jeta ime është e pandashme nga futbolli, sepse jam rritur me këtë. Por duhen të bisedohen gjërat”, tha Gramoz Vokrri në emisionin “Sonte” në T7.

I pyetur nëse do të dëshironte ta ndiqte rrugën e babait, ai u përgjigj: Absolutisht po. Unë kam qenë përkrah tij edhe para pranimit pastaj kemi pasur disa mospajtime, por nuk është fundi i botës. Futbolli i bashkon njerëzit. Ishin mospajtime konceptuale, në aspekt sportiv”.

Ai shpreson se Kosova do të mundë të kualifikohet në Kampionatin Evropian 2020, i cili luhet më 2021 shkaku i shtyrës për shkak të pandemisë koronavirus, edhe pse mendon se gjasat janë 50/50.

Kosova do të përballet me Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinale të play-off dhe eventualisht në finale me Bjellorusinë apo Gjeorgjinë, në tetor.