Fjalë Kyçe

Do të prishen deri në 7 marrëveshje për hidrocentrale në Malin Sharr

Do të prishen deri në 7 marrëveshje për hidrocentrale në Malin Sharr

Shpallja e Malit Sharr si park nacional, tashmë e kufizon Qeverinë edhe në dhënien e koncesioneve për hidrocentrale të vogla. I ftuar në emisionin “10 minuta” në TV21, Ministri i Mjedisit Naser Nuredini, u lëvdua se që kur ka ardhur ai në krye të këtij dikasteri, nuk ka dhënë asnjë propozim në Qeveri për ndërtim të ndonjë hidrocentrali të vogël në vend.

“Nëse nuk ka ndonjë pengesë në mjedisin jetësor do t’i kërkojmë kushtet, mund të investohet, por në të njëjtën kohë ne si ministri kemi marrë mbi vete të prishim 5 deri në 7 marrëveshje të cilat janë dhënë në të kaluarën në Malin Sharr”, tha Nuredini, duke sqaruar se bëhet fjalë për koncesione që ende ishin vetëm në letër dhe s’kishin filluar të ndërtoheshin.

Sa u përket hidrocentraleve tashmë të ndërtuara në Malin Sharr, tashmë Park Kombëtar, Nuredini tha se ato kanë koncesione deri në 20-vjeçare, ndërsa disa prej koncesioneve janë dhënë deri në vitin 2019. Pas kalimit të 20 viteve, pronësinë e tyre e merr shteti, me çka edhe vendos nëse do të vazhdojë t’i mbajë në funksion apo t’i ndalë, tregoi ministri.

I pyetur nëse ka pasur përpjekje nga ndokush që këto marrëveshje të mos anulohen, Nuredini tha se askush nuk i është përzier në punën dhe vendimet si Ministër i Mjedisit.

“Nuk kam pasur asnjë kërkesë nga asnjë anëtar i politikës që të mos e bëj këtë punë, por kam pasur përkrahje për ti ndaluar ato të cilat kanë qenë në zona të mbrojtura siç është mali Sharr dhe jemi në bashkëbisedim me dy të tjera që janë në Parkun kombëtar Mavrovë, që edhe ato të tërhiqen sepse edhe aty kemi një lëndë të hapur nga Komisioni i Bernit kundër shtetin tonë se pse e kemi dhënë koncesionin”, u shpreh ministri i mjedisit./TV21/