Dogana e Kosovës ka inkasuar deri tash 819 milionë euro ose mbi 30 përqind më shumë se në vitin 2020.
Përkundër masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19 nga Qeveria, Dogana parashikon të mbledhë 1.3 miliard deri në fund të vitit.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress se në periudhën janar-gusht 2021 kanë inkasuar rreth 200 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2020.
“Për momentin që po flasim, ne kemi mbledhë 819 milionë euro, ku në krahasim me vitin e kaluar kur kishim të njëjtën periudhë kanë qenë 621 milionë euro ose 31 përqind më shumë. Por, viti 2020 ka qenë vit i pandemisë dhe krahasimi nuk mund të jetë edhe aq real kur ekonomia ka qenë e mbyllur. Mirëpo, nëse shikohet me vitin 2019, për atë periudhë, prapë jemi 15 përqind më shumë se viti 2019. Kështu që në të gjitha aspektet, ekonomia e Kosovës, jo vetëm Dogana, sepse të gjitha të hyrat nuk varen nga Dogana, por nga perspektiva e gjithmbarshme e ekonomisë janë pozitive dhe trendi aktual, besojmë që deri në fund të këtij viti Dogana do të arrijë rekordin dhe do të kalojmë 1.2 miliardëshin, në 1.3”, thekson Stavileci.
Shpresëdhënës për ekonominë e vendit pritet të jetë edhe rritja e eksporteve në 120 përqind për këtë vit, ku deri në fund të vitit 2021 pritet të arrijnë shumën 650 milionë euro.
Mirëpo, sipas Stavilecit krahas saj ka shënuar rritje edhe importi i mallrave nga Serbia viteve të fundit.
“Në aspektin e eksportit, ne presim që ky vit të jetë vit historik për Kosovën që të kalohen… 650 milionë euro mallra të eksportuara që konsiderohet një prej zhvillimeve më pozitive… Sivjet kemi para për dallim nga vitet e fundit një rritje të eksporteve, I cili nënkupton që produktet e gatshme të cilat përfundojnë direkt tek konsumatori në të gjitha vendet e ndryshme të botës, prandaj kjo është ajo që ka ndikuar për më shumë të hyra për eksportuesit kosovarë. Eksporti i Kosovës është kryesisht në vendet e BE-së si në Gjermani dhe Zvicër, Britani e Madhe dhe ShBA. Ka një kohë që ka rritje të importit nga Serbia, por mund të themi që disa produkte serbe vetëm se kanë humbur tregun në Kosovë”, pohon ai.
Në anën tjetër, Dogana sfidohet në luftimin dhe parandalimin e mallrave të kontrabanduara. Zëdhënësi saj thotë se nuk ka doganë në botë që mund ta ndalë 100 përqind këtë dukuri.
“Mund të themi me përgjegjësi të plotë se Dogana ka rrit përpjekjet për të parandaluar secilin rast të kontrabandimit të mallrave. A mund të themi se jemi 100 përqind në parandalimin e kontrabandës, nuk ka doganë në botë që ndal kontrabandën 100 përqind. Megjithatë, dogana tenton që kontrabanda të minimizohet që mos të ketë ndikim në ekonominë e ligjshme apo tek importuesit e rregullt”, thotë Stavileci.
Masat e reja shtrënguese për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19 nuk pritet të kenë ndikim negativ në të hyrat e Doganës së Kosovës.
Zëdhënësi Stavileci thotë se ani se vitin e kaluar mbyllja totale pati efekt negativ në të hyra buxhetore, sivjet trendi lëvizjeve ekonomike në aspektin e të hyrave, importit dhe eksportit nuk pritet të ketë ndikim qoftë edhe për shkak të këtyre masave të reja.