Fjalë Kyçe

Donjeta Sadiku rrihet nga boksierja britanike, ngel pa medalje olimpike në Tokio

Donjeta Sadiku rrihet nga boksierja britanike, ngel pa medalje olimpike në Tokio

Donjeta Sadiku është rrahur nga britanikja Caroline Dubois në debutimin e saj në Lojërat Olimpike në boks të martën në Tokio.

Sadiku nuk mundi t’i bëjë ballë kampiones olimpike për të rinj në kategorinë e lehtë.

Ajo ishte boksierja e parë nga Kosova, vajzë apo mashkull, që garon në Lojëra Olimpike në sportin e boksit.

22-vjeçarja ishte njëra prej gjashtë garueseve nga Kosova që morën pjesë në Olimpiadë përmes ftesës.

Boksieria nga Gollaku e humbi meçin ndaj Dubois me pikë. Lufta zgjati tri runde dhe britanikja i fitoi që të trija, duke e mbizotëruar kosovaren.

Sadiku iu bashkohet Majlinda Kelmendit, Akil Gjakovës, Eda Zeqirit dhe Drilon Ibrahimit në mesin e garuesve kosovarë që nuk ia dolën të fitojnë medalje në Tokio.

Por Kosova do të kthehet nga Japonia me të paktën dy medalje të arta, falë Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës që i fituan ato në kategoritë e tyre përkatëse në xhudo.

Ndërkohë, numri i medaljeve mund të rrihet për Kosovën, pasi ajo i ka edhe katër atletë në garë në Tokio.

Olti Kondirolli do të garojë sot në not, ndërsa Musa Hajdari, Loriana Kuka dhe Egzon Shala do të garojnë në ditët në vijim.