Fjalë Kyçe

Dosja për Ivanoviqin ende nuk ka arritur në Kosovë

Dosja për Ivanoviqin ende nuk ka arritur në Kosovë

Deklaratat e zyrtarëve serb se dosja e mbledhur në Serbi për vrasjen e Oliver Ivanoqit është dorëzuar në Kosovë nuk janë konfirmuar nga zyrtarët e Prokurorisë.

Prokurori i rastit Sylë hoxha në një deklaratë për kallxo.com ka konfirmuar se dosja ende nuk ka arritur

“Nuk mund t’ju japim informata sepse akoma nuk kanë arritur materialet e dorëzuara nga Serbia”, tha Hoxha.

Dje gjatë ditës Ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Nela Kuburoviq tha se autoritetet serbe i kanë dorëzuar institucioneve të Kosovës materialet rreth hetimeve për vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, një vit më parë në Mitrovicën e Veriut.

Në një intervistë për televizionin serb Pink, Kuburoviq nënvizoi se materialet janë dërguar në bazë të kërkesës së Prishtinës për t’i pasur materialet e intervistave që kanë zhvilluar organet serbe të hetuesisë rreth vrasjes së Ivanoviqit.

“Kjo flet që Beogradi është ende i gatshëm të bashkëpunojë dhe të përgjigjet në të gjitha kërkesat që vijnë nga Prishtina. Nuk kemi komunikim të tillë të dyanshëm nga ana e Prishtinës”, tha Nela Kuburoviq.

Ajo tha se komunikimi me institucionet e Kosovës shkon përmes Zyrës së Bashkimit Europian.

Me 16 janar 2018 lideri i partisë opozitare serbe Oliver Ivaonvi u vra para zyrës së tij në Mitrovicën e Veriut. Deri më tani për vrasjen e tij janë arrestuar katër persona ndërsa në kërkim është nënkryetari i Listës Serbe Millan Radojqiq i cili besohet se është duke u fshehur në Serbi.