Fjalë Kyçe

Drejtori i policisë mohon raportimet për largim të hetuesve, thotë se ka vetëm sistemime

Drejtori i policisë mohon raportimet për largim të hetuesve, thotë se ka vetëm sistemime

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, po raporton sot para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Hoxha para deputetëve është pyetur rreth raportimit se ka pasur largime nga Njësia e Veçantë Hetimore. Ai ka mohuar se ka pasur largim të hetueseve, duke potencuar se kanë qenë katër raste të lëvizjeve që janë bërë në këtë njësi, të gjitha me kërkesë të vetë policëve, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Nga cilësia e drejtorit të përgjithshëm të policisë ju njofton zyrtarisht se nga kjo njësi, njësia e veçantë e hetimeve nuk ka pasur largime apo transferime të asnjë polici apo asnjë eprori jashtë njësisë, përveç eprorit Shemsi Haziri, i cili është transferuar në kuadër të reformave që unë kam zbatur me qëllim të arritjes së vizionit dhe objektivave të mia si drejtor i ri i policë, po ashtu edhe në zbatim të strukturës së re organizative të Policisë së Kosovës me qëllimin e vetëm për të rritur efikasitetin e punës në Policinë e Kosovës, në veçanti në fushën e hetimeve. Ju përmendët disa emra të cilët kanë lëvizur nga kjo njësi. Unë ju garantoj me gjithë autoritetin tim që gjithë këto lëvizje, katër lëvizje që janë bërë janë bërë me kërkesë të policëve vetë. Do të thotë asnjë polic nuk është larguar nga kjo njësi, as polic as epror, pa kërkesë edhe pa vullnetin e tyre. Janë katër policë që janë largu nga njësia me kërkesë të tyre. Nuk kanë pasur presion. Kjo njësi dikur është paguar ka pasur një shtesë, ekstra prej 300 euro e cila është ndaluar kur është shuar taskforca në kohën e ish kryeministrit Hoti, me sa e di unë. Duhet të kemi parasysh që dikush që punon në nivele të larta të hetimit pa asnjë lloj stimulimi dhe kjo është një çështje pse disa prej policëve kërkojnë të largohen nga njësia e taksforcës apo njësia e veçantë e hetimit”, tha Hoxha në Komision.

Ai potencoi se është paraparë që kjo njësi të ketë 27 policë, jo 30 sa kanë qenë.

“Ekziston një problem: struktura e Njësisë ka pasë 30 policë, me strukturën e re që aprovu vitin që shkoi, duke u bazu edhe në numrin e vogël të rasteve që kanë pasë si numër edhe ngarkesa që e kanë pasë si njësi, është paraparë që kjo njësi të ketë 27 policë. E tash ne kemi obligim që nga këta 30, t’i sistemojmë dhe janë bërë disa reforma brenda njësisë me qëllim të përcaktimit të detyrave dhe përgjegjësisë. Disa grada janë rritur në pozicione që kanë pasur, të tjerët janë zvogëluar, por jo që janë zvogëluar te emrat por është rritur niveli i gradave. Ky ka qenë vlerësim i brendshëm i njësisë”, tha Hoxha.