Malësor Gjonbalaj ka komentuar suksesin e Feronikelit në ndeshjen e parë me TNS në Ligën e Kampionëve.
Kampioni ynë barazoi 2:2 ndaj kampionit të Uellsit në udhëtim.
Gjonbalaj, që është drejtor sportiv i Feronikelit, deklaroi se skuadra është vendosur në karantinë, për t’u përqendruar për takimin e kthimit që luhet të martën në stadiumin Fadil Vokrri.
“Kemi marrë rezultat të favorshëm, por duhet të jemi të kujdesshëm për ndeshjen e kthimit. Për arritjen deri këtu suksesi është i të gjithëve, por duhet falënderuar presidentin (Naser Ramaj), një njeri human dhe i cili është duke i plotësuar të gjitha kërkesat ndaj klubit”, tha Gjonbalaj në emisionin 2me1 në RTV21.
Ai ka një kërkesë për gjithë futbolldadhësit në Kosovë.
“Uroj të vijnë shumë tifozë. Feronikeli është duke e përfaqësuar Kosovën dhe suksesi nuk është vetëm i tyre”, shtoi ai.