Fjalë Kyçe

Drejtuesit e çerdheve publike i kërcënojnë prindërit të paguajnë për kohën e grevës

Drejtuesit e çerdheve publike i kërcënojnë prindërit të paguajnë për kohën e grevës

Çerdhet publike në Prishtinë kanë kërcënuar prindërit se do t’ua shkëpusin kontratat nëse nuk paguajnë për muajin janar, ani pse nuk i dërguan fëmijët aty shkaku i grevës.

KTV-ja ka siguruar disa biseda të prindërve bashkë me drejtoreshën e çerdhes “Yllkat”, derisa ajo u thotë se ‘nëse vjen ndonjë auditor, automatikisht do t’ua shkëpusë kontratat atyre që nuk kanë paguar’.

Por, drejtoresha e çerdhes, Rifadije Sopi, thotë se nuk bëhet fjalë për kërcënim, por kontrata parasheh pagesën edhe nëse nuk dërgohen fëmijët në çerdhe.

Në anën tjetër, Këshilli i Prindërve i 8 institucioneve parashkollore ka kërkuar përsëri nga Komuna e Prishtinës që të lirohen nga pagesat, pasi atyre u është dashur t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe private në kohën e grevës.

Prindërit thonë se meqë mësimdhënësit u paguan pa mbajtur fare mësim për 3 javë, atëherë edhe prindërit duhet të lirohen nga pagesa.

Por, paralele të tilla, kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, thotë se nuk duhet të ngrihen, pasi, sipas tij, në këtë mes ka faj komuna e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës kishte vendosur që pagesat të bëhen megjithëse u mbajt greva për pjesën më të madhe të muajit të parë të këtij viti.

KTV-ja ka pyetur Komunën nëse do ta rishqyrtojë këtë vendim, por zyrtarët e saj nuk kanë kthyer përgjigje.