Fjalë Kyçe

Dritë Slivova-Polisi e KTV-së, fituese e çmimit të parë për mbrojtjen e mjedisit

Dritë Slivova-Polisi e KTV-së, fituese e çmimit të parë për mbrojtjen e mjedisit

Gazetarja e KTV-së, Dritë Slivova Polisi, është fituese e sivjetme e stories më të mirë për ambientin, çmim ky i ndarë nga organizata “Let’s Do It Kosova”, në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”..

Gazetarja e KTV-së, Slivova-Polisi, përmes emisionit “Cosmo” në KTV, kishte realizuar storien fituese me titullin “Ajri që vret”.

Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova”, tha se organizata që ai drejton s’do të kishte kaq shumë rezultate nëse nuk do të kishte mbështetje kaq të madhe nga mediat.

“Jemi të nderuar që kemi kaq shumë mbështetje nga ju. Jemi një grup i aktivistëve e vullnetarëve që kemi marrë pjesë në aktivitetet për ruajtjen e mjedisit. Është një nder për ne që me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës të bëjmë storie të mira për problemin e madh të ndotjes. I kemi parë të gjitha storiet dhe të gjitha kanë qenë të mira dhe juria e ka bërë punën e vet si duhet. Shpresoj që ky eveniment të jetë shtytës që gazetarët të kontribuojnë sa më shumë në fushën e mjedisit dhe mbrojtjes së tij”, ka thënë Hasanajj, raporton KTV.

Ndërkaq, Gentiana Begolli Pustina, kryetare e AGK-së, tha se ambienti është fryma jonë e përditshme.

“Më shqetëson fakti se lidershipi jonë nuk kanë punuar aq sa duhet në mbrojtjen e mjedisit. Janë pikërisht gazetarët dhe organizatat e ndryshme që kanë munduar të sensibilizojnë pushtetin për të punuar sa më shumë në çështje që janë për interesin e të gjithë qytetarëve. Storiet janë shumë të mira”, tha Begolli-Pustina.

Fehmi Ferati nga juria tha se “Ajri që vret” ka qenë dokumentari më i mirë profesionalisht edhe në aspektin vizuel ku kanë qenë të gjitha palët e përfshira.

“Gazetari e ka një detyrë që të motivojë edhe qytetarin në pastrim”, ka thënë ai.

Çmimi i dytë shkoi për Florandë Morina nga T7, i treti për Drenusha Canollin nga Insajderi dhe i katërti për Mejreme Gashin nga Klan Kosova.