Kritikat e vazhdueshme në rrjetet sociale rreth prejardhjes së saj, nuk e kanë penguar asnjëherë Dua Lipën që të shfaq rrënjët e saj të vërtetata dhe kësisoj të paraqitet në publik si një shqiptare nga Kosova.
Me zërin e saj unik, Dua Lipa, ka arritur që të bëjë njerëzit nga e gjithë bota të bien në dashuri me të dhe së fundmi ajo është paraqitur edhe si ylli i kopertinës dixhitale të revistës “Wall Street Journal”, e këta të fundit zhvilluan edhe një intervistë me yllin e muzikës pop.
Postimet e saj të hapura për pavarësinë e Kosovës, e cila mbetet një çështje e diskutueshme nëpër botë, janë përballur me kritika, ashtu si edhe deklaratat e saj pro-palestineze.
Kundërshtimi nuk e ka bërë atë të shqetësohet për adresimin e çështjeve politike. “Është një pjesë e madhe e asaj që jam,” thotë ajo. “Duke pasur parasysh prindërit e mi dhe mënyrën se si ata erdhën në Mbretërinë e Bashkuar, [situata e refugjatëve] ka qenë gjithmonë diçka që më është shumë afër zemrës.
Lipa tregon me vështirësitë të cilat ajo është përballur për shtetin e Kosovës dhe komentet e ndryshme që ka marrë gjatë rrugëtimit të saj në industrinë e muzikës, transmeton kultplus.
“Kam lexuar komente nga shumë njerëz që më thonë se nuk kam shtet, nuk kam identitet, Kosova nuk ekziston. Kam jetuar në Kosovë, i di jetët që kanë humbur. Pra, që dikush të më mohojë identitetin dhe përvojën time, është e vështirë për mua të qëndroj prapa dhe të mos flas për këtë. Kështu që kjo është diçka që unë do ta bëj gjithmonë.”
Nëntorin e kaluar, ajo u nderua në Uashington, DC, nga Këshilli Atlantik, një institut kërkimor për çështjet ndërkombëtare, për angazhimin e saj për të “fuqizuar gjeneratën e ardhshme të liderëve dhe muzikantëve ballkanikë”.