Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka publikuar ende listën e personave që do të propozohen të hënën për ministra në Qeverinë Kurti 2, megjithatë, përgatitjet për këtë çështje tashmë thonë se janë drejt përfundimit. Ka disa dikastere ku nuk dihet saktësisht se kush do të emërohet, ani pse Gazeta Express sot ka publikuar disa emra të personave që do të propozohen. Saktë nuk dihet se kush do ta udhëheq edhe Ministrinë e Mbrojtjes, derisa për këtë pozitë po përmendet emri i Enver Dugollit që për këtë çështje ka folur në një përgjigje për Gazetën Express.
Java e ardhshme do të jetë javë finale për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë. Të hënën pritet që, pos konstituimit të Kuvendit, të votohet edhe qeveria e re.
Ndërkaq gjatë asaj jave është diskutuar mundësia që të thirret seancë edhe për presidentin. Deri më tani, disa persona dihet se do të emërohen në krye të dikastereve qeveritare.
Gazeta Express ka publikuar sot disa prej emrave që pritet të propozohen për ministra në Qeverinë Kurti 2.
Sipas matematikave që nuk janë konfirmuar zyrtarisht, Albin Kurti si kryeministër do të ketë dy zëvendëskryeministra, një nga LVV-ja dhe një nga Lista “GUXO”. Vjosa Osmani do të ketë edhe dy ministri në të cilat mund të emërohen Haxhi Avdyli dhe Faton Peci.
Dikaster ku nuk është konfirmuar ende zyrtarisht ndonjë emër është edhe ai i Ministrisë së Mbrojtjes.
Ministrja e Mbrojtjes në marrëveshjen e LVV-së me LDK-në i kishte shkuar Lidhjes Demokratike derisa ende udhëhiqet nga Anton Quni.
Megjithatë, sipas burimeve të pakonfirmuara deri më tani, në këtë pozitë në Qeverinë e re mund të propozohet Enver Dugolli, që ishte zëvendës i Qunit në Qeverinë Kurti 1.
Gazeta Express e ka pyetur Dugollin nëse ky informacion është i vërtetë.
Ai i ka thënë se deri më tani nuk ka informacione për këtë çështje.
“Nuk kam unë asnjë informacion rreth kësaj ideje, faleminderit që më kontaktuat por nuk e di. Më herët kam qenë zëvendësministër në Qeverinë Kurti 1 po tash nuk e kam këtë informacion”, thotë Dugolli, që shton se nëse LVV-ja vlerëson që ai të emërohet në kët pozitë, nuk do t’i ik përgjegjësisë.
“Çdo gjë që Lëvizja Vetëvendosje e konsideron edhe vlerëson ndonjë pozitë jam i gatshëm, natyrisht nuk i iki përgjegjësisë por deri tash nuk ka diçka”, ka thënë ai.
Gazeta Express ka pyetur në Lëvizjen Vetëvendosje se kur do të merren vesh emrat që do të propozohen për ministra.
Nga zyra për medie e këtij subjekti i kanë thënë Express-it se janë në fazën e takimeve me subjekte e sapo të caktohen personat në pozitat përkatëse, do t’i njoftojnë mediat.
“Aktualisht jemi në fazën e takimit të subjekteve parlamentare, sapo të vjen koha e do të caktohen personat në pozicionet përkatëse, do ta njoftojmë publikun dhe mediat”, thonë nga LV-ja.
Enver Dugolli iu është bashkuar në vitin 2018-të partisë së Kurtit. Ai ishte i burgosur politik dy herë, derisa kaloi mbi 10 vite në burg. Ishte liruar në vitin 2001.
Dugolli ka shërbyer në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku u dekorua me gradën Kolonel. U pensionua nga detyra e Atasheut Ushtarak në Tiranë me gradë Gjeneral Brigade në Pension.
Ai momentalisht është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së dhe anëtar i Komitetit Profesional për Mbrojtje në Lëvizjen Vetëvendosje.
Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes ka garuar për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Dugolli ka marrë 6 mijë e 132 vota në zgjedhjet e fundit, të pamjaftueshme për të siguruar një ulëse në legjislaturën e re.