Në fillim të Pandemisë, duhanpirësit kanë menduar se nuk duhen brengosur aq shumë, sepse nëpër mediat sociale qarkullonte një studim se duhan pirja ndërlidhej më rrezik më të ulët nga infektimi me Covid-19. Por kjo del se nuk është edhe aq e vërtetë.
Një numër i raporteve kohëve të fundit duket se po e hedhin poshtë këtë argument. Javën e kaluar hulumtuesit nga Universiteti i Kalifornia në San Francisko, analizuan të dhënat nga 8,000 të rijnë të cilët morën pjesë në studim, qëllimi i të cilit ishte të kuptohej se sa ishin njerëzit të rrezikuar nga Covid-19.
Shkencëtarët gjetën se 32% e të anketuarve kishin sëmundje paraprake të cilat i rrezikuan edhe më shumë nga infektimi. Por kur shkencëtarët i hoqën njerëzit të cilët tymosin duhan apo cigare elektrike dhe i shikuan vetëm ata që nuk pinë duhan, përqindja e atyre që ishin të rrezikuar nga virusi ra përgjysmë, pra në 16%.
Edhe një tjetër studim gjeti rezultate të njëjta. Shoqëria për Studimin e Nikotinës dhe Duhanit analizoi më shumë se 11,000 pacientë me Covid-19 dhe gjetën se 30% kishin histori të duhan prijës dhe sëmundja e tyre u përkeqësua në gjendje të rëndë ose kritike, ndërsa vetëm 17.6% pacientë që nuk kanë pirë duhan përjetuan simptome më të rënda. Studimi erdh në përfundim se “duhan pirja është faktor rreziku për përparimin e Covid-19”, dhe duhanpirësit kanë dyfish më shumë gjasa që të zhvillojnë simptome të rënda.
Dr David Christiani, profesor në Shkollën e Shëndetit publik në Harvard, beson se shumë nga publikimet e më hershme ku thuhej se duhanpirësit ishin më pak të rrezikuar, kishin qenë të nxituara dhe studimet nuk ishin bërë mirë. Duhan pirja assesi nuk e përmirëson shëndetin e mushkërive, por në fakt vetëm e rrit mundësinë e infektimeve, shkruan The Guardian.
“Prodhimet e duhanit shkaktojnë inflamacionin e rrugëve të frymëmarrjes dhe zvogëlon imunitetin e mushkërive, dhe kjo i bën njerëzit më të ndjeshëm ndaj infektimeve në përgjithësi”, tha Christiani.
Si rezultat i kësaj, simptomat e rënda dhe madje edhe mundësia më e madhe e vdekjes rritet për duhanpirësit që rezultojnë pozitivë me Covid-19, tha Dr Michael Siegel, profesor në Universitetin e Bostonit.
Duhan pirja mund të jetë e keqe për shëndetin e përdoruesit, por gjithashtu është e keqe edhe për njerëzit përreth. Dikush që tymosë “mund të jetë i shëndetshëm” tha Christiani “por nëse janë pozitivë me Covid-19, shikojeni tymin përreth tyre. Vetëm imagjinoni që mund të ketë viruse aktive në atë mjegull”.
Duhanpirësit gjithashtu duhet të heqin maskën, dhe pavarësisht se sa e respektojnë distancimin social, grimcat e tymit të cilin e nxjerrin nga mushkëritë mund të barten në ajër. Për arsyen se grimcat janë shumë të vogla, ato mund të depërtojnë edhe brenda maskave standarde, të cilat janë të krijuara vetëm për mbrojtjen nga pika më të mëdha.
Për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë që njerëzit të ndërprerjen këtë ves, nëse munden. “Pse të rrezikoni dhe të irritoni traktin e frymëmarrjes në këso kohë?” shtoi Siegel.