Fjalë Kyçe

Dy nga të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla janë vëllezër

Dy nga të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla janë vëllezër

Dy prej tre të dyshuarve për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla janë të moshës ndërmjet 22 e 24-vjeçare.

Syla u sulmua mbrëmë dhe për shkak të lëndimeve u trajtua në QKUK.

Kallxo mëson se të dyshuarit K. Hasani e O. Hasani janë vëllezër.

I dyshuari i tretë L. Dervishi, po ashtu sikur vëllezërit Hasani, jeton në regjion të Prishtinës.

Tre të rinjtë po dyshohen për veprën penale të nxitjes së përçarjes apo mosdurimit.

Fillimisht të njëjtit u dyshuan për lëndim të lehtë trupor, por pasi u analizuan detajet e ngjarjes, rasti kaloi në Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Prokurorinë Speciale.

Arrestimi i tyre erdhi pas gati 24 orëve që nga sulmi që iu bë Sylës.

Deri më tani ende nuk është e qartë se cilat ishin arsyet që shtynë të dyshuarit të kryenin aktin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës dje kanë dalë me komunikatë të përbashkët lidhur me rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla. Aty bëhet e ditur se ndaj tri personave që janë të dyshuar për sulmin, rëndohet akuza e kryerjes së veprës penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit” si dhe ceket fakti se rasti po hetohet nga Drejtoria Kundër Terrorizmit.

Kjo është komunikata e përbashkët:

KOMUNIKATË E PËRBASHKËT NGA PROKURORIA SPECIALE DHE POLICIA E KOSOVËS

Arrestohen tre persona të dyshuar për sulm fizik ndaj gazetarit Valon Syla

Prishtinë, 12 prill 2023 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar tre persona të cilët kanë sulmuar gazetarin, Valon Syla.

Prokuroria Speciale njofton se pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit, është arritur që të identifikohen tre (3) të dyshuarit, për rastin e sulmit fizik të datës 11.04.2023, ndaj gazetarit Valon Syla, arrestimi i të cilëve është realizuar sot me datë 12.04.2023.

Të arrestuarit janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H. si dhe të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’.

Tre të arrestuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje, si dhe brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.